Të shtatë vulat
Pastaj pashë kur Qengji hapi një nga të shtatë vulat; dhe dëgjova një nga të katër gjallesat, që thoshte me zë si prej bubullime: Eja. Dhe pashë, dhe ja një kalë i bardhë; dhe ai që i kishte hipur kishte një kurorë, dhe doli si fitimtar dhe për të fituar.
Dhe kur hapi vulën e dytë, dëgjova gjallesën e dytë, duke thënë: Eja. Dhe doli një tjetër kalë i kuq si zjarri; dhe atij që i kishte hipur iu dha të heqë paqen nga toka, që njerëzit të vrasin njëri-tjetrin, dhe iu dha atij një thikë e madhe.
Dhe kur hapi vulën e tretë, dëgjova gjallesën e tretë duke thënë: Eja. Dhe pashë, dhe ja, një kalë i zi; dhe ai që i kishte hipur kishte një peshore në dorë. Dhe dëgjova një si zë në mes të katër gjallesave duke thënë: Një shinik grurë për një dinar dhe tre shinikë elb për një dinar; dhe vajin e verën mos i dëmto.
Dhe kur hapi vulën e katërt, dëgjova zërin e gjallesës së katërt duke thënë: Eja. Dhe pashë, dhe ja një kalë verdhacuk; dhe ai që i kishte hipur kishte emrin Vdekje; dhe prapa i vinte Hadhi. Dhe atyre iu dha pushtet mbi një të katërtën pjesë të tokës për të vrarë me shpatë, dhe me uri, dhe me vdekje dhe me egërsirat e tokës.
Dhe kur hapi vulën e pestë, pashë nën altar shpirtrat e atyre që ishin vrarë për fjalën e Perëndisë dhe për dëshminë që kishin bërë për Qengjin; dhe thërritnin me zë të lartë, duke thënë: Deri kur, o Zoti ynë i shenjtë dhe i vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr shpagim për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi tokë? Dhe secilit prej tyre iu dha një rrobë e bardhë dhe iu tha atyre që të pushojnë edhe për pak kohë, deri sa të plotësohen bashkëshërbëtorët e tyre dhe vëllezërit e tyre, që do të vriten si edhe ata.
Dhe pashë kur hapi vulën e gjashtë; dhe u bë një tërmet i madh; dhe dielli u nxi si thes prej lesh dhie, dhe gjithë hëna u bë si gjak; dhe yjet e qiellit ranë mbi tokë ashtu si kur një fik i shkundur nga era e madhe lë t’i bien fiqtë e papjekur. Dhe qielli u tërhoq si një libër që mbështillet; dhe çdo mal e ishull lëvizi nga vendi i vet. Dhe mbretërit e tokës dhe të mëdhenjtë dhe kryemijëshit dhe të pasurit dhe të fuqishmit dhe çdo skllav dhe i lirë, u fshehën nëpër shpella e nëpër shkrepat e maleve; dhe u thoshin maleve dhe shkrepave: Rrëzohuni mbi ne dhe na fshihni nga prania e Atij që rri mbi fron dhe nga zemërimi i Qengjit; se erdhi dita e madhe e zemërimit të Tij, dhe kush mund të qëndrojë?