Nga 25 deri më 26 shtator do të kremtohet me madhështi në ishullin e shenjtë të Patmosit 1900 vjetori i shkrimit të Librit të Apokalipsit. Do të marrin pjesë gjithë Patrikët dhe Kryepiskopët e Kishave Orthodhokse Autoqefale. Qendra e manifestimeve do të jetë Manastiri i shkëlqyer i Shën Joan Theologut, të cilin e ndërtoi në vitin 1088 oshënar Kristodhuli. Manastiri mban thesare shumë të çmuara të artit të krishterë dhe dorëshkrime, duke u renditur kështu së bashku me Malin e Shenjtë, Vendet e Shenjta, Vatikanin, Sinain dhe Meteorën.
Apostull Joan Theologu, siç e përmend dhe vetë në hyrje të librit të shenjtë, u gjet “në ishullin që quhet Patmos për fjalën e Perëndisë dhe dëshminë e Iisu Krishtit”. Që në kohët e yjetra, Tradita e Shenjtë na tregon se ai, në moshë shumë të thyer, ishte internuar në këtë ishull të shkretë në juglindje të Egjeut.
Në shpellën e shenjtë të këtij ishulli Shën Joani pa një të diel vegime dhe i shkroi me porosinë hyjnore. Gjithashtu, tradita na informon se ia diktoi ato nxënësit të tij, Shën Prohorit, i cili i shkroi. Kështu u shkrua Apokalipsi, i cili është libri i fundit i Dhiatës së Re dhe i gjithë Shkrimit të Shenjtë. Ai është libri i vetëm profetik i Dhiatës së Re. Si temë qëndrore ka luftën ndërmjet Mbretërisë së Perëndisë dhe armiqve të saj, djallit e veglave të tij, duke pasur si përfundim triumfin e Mbretërisë së Perëndisë, domethënë të Kishës.
Kështu, në të gjithë tekstin mbizotëron Ardhja e Dytë e Krishtit. Besimtarët do të duhet të jenë të përgatitur për të përballuar të palëkundur hidhërime të shumta dhe të tmerrshme, sepse përkohësisht do të dominojnë forcat kundërshtare. Por, mbas betejës përfundimtare, gjatë fundit të botës, do të korrë fitore madhështore “Qengji i therur”, domethënë Zoti ynë Iisu dhe atëherë Ai do të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit.
Për arsye të ndërtimit simbolik dhe parabolik të librit, profecitë e shumta dhe numrat alegorikë të tij u interpretuan, por dhe u keqinterpretuan nga shumë njerëz gjatë shekujve dhe sidomos në periudha të vështira. Ushqim për parafytyrime të gabuara dha kryesisht personi i antikrishtit, i cili do të mbajë numrin misterioz 666. Shumë veta kujtuan në kohëra të ndryshme se antikrishtin e mishëronin persekutuesit e Krishtërimit, heretikët ose kriminelët kundër njerëzimit. Por, duhet theksuar, se kuptimi i saktë i profecive do të sqarohet vetëm pas plotësimit të tyre, siç ka ndodhur edhe me profecitë e Dhiatës së Vjetër. Në kohët e tyre ato ishin të pakuptueshme, si p.sh se do të lindte një virgjëreshë, domethënë Hyjlindësja.
Përfundimi i të gjithë veprës është se Perëndia është Zot i gjithësisë dhe i historisë! Ky realitet u jep fuqi dhe ngushëllim njerëzve përballë vështirësive të ndryshme të jetës, të cilat do të arrijnë kulmin në konfrontimin përfundimtar para Gjykimit të fundëm.
Veç përmbajtjes së lartë teologjike, Apokalipsi ka dhe një vlerë të çmuar filologjike. Me figurat madhështore, me skenat ilustrative, thurjet dramatike, vrullshmërinë e plasticitetin e vet, kjo vepër me frymëzim Perëndie përbën, njëkohësisht, një kryevepër të letërsisë botërore.
Prandaj dhe ka ndikuar vazhdimisht dhe thellësisht në gjithë artin e krishterë, në Lindje dhe Perëndim. Të famshme janë afresket në Manastiret e Malit të Shenjtë, ksilografitë e Dyrerit, pikturat e Mikelanxhelos, si dhe oratori “Mesia” i Hendelit, me kulm “Aliluja”-n e famshme të tij. Libri i Apokalipsit ndikoi gjithashtu dukshëm edhe në veprat e Dantes, Gëtes, Dostojevskit etj.
At Justini