Shenjtë janë njerëzit që në jetën e tyre nderuan Perëndinë. Me fjalët e tyre. Me veprat e tyre. Me vdekjen e tyre. Me ndjenjat e tyre. Me të gjitha!…
Dhe Perëndia i shpërbleu. Tha:
Ata që më lavdërojnë, i lavdëroj. Ai që më dëgjon, e dëgjoj edhe unë.
Avraami e dëgjoi Perëndinë. Për hirin e Tij, iku nga vendi i vet. Dhe u bë si cigan. Pa atdhe. Pa shtëpi. Pa tokë të tijën. Banonte në tenda.
Po rezultati?
Shumë i madh.
Cili është ai?
Kur Perëndia vendosi të shkatërrojë Sodomën dhe Gomorën, sepse u mërzit nga veprat e turpshme të banorëve të tyre, zbriti dhe ia tha Avraamit!
Atëhere filloi dialogu midis Perëndisë dhe Avraamit:
– Perëndia im, do të më bësh një nder? Nëse ka 50 njerëz të mirë në Sodomë, për hir të tyre, a nuk i fal të gjithë?
– Nëse janë 50 do t’i fal!
– Nëse janë 40, nuk do të ma bësh nderin?
– Edhe atëhere do të ta bëj!
– Edhe nëse janë vetëm 30?
– Edhe atëhere!…
– Por, nëse janë 20?
– Edhe atëhere!…
– Perëndia im, para Teje jam baltë! Hi jam para teje! Më pranon, të flas edhe një herë të vetme?
– Fol lirshëm!…
– Nëse janë vetëm 10, do të më dëgjosh? Do të ma bësh nderin?
– Po, do të të dëgjoj edhe atëhere!
(Gjenezë 18:16-33)
Po pastaj? Çfarë u bë?
Avraami nuk guxoi të flasë më. I erdhi turp. Kishte folur gjashtë herë!
E shikoni pra, sa dashuri ka Perëndia për Shenjtët e Vet? Avraami pushoi së kërkuari dhe jo Perëndia së dëgjuari!
Aq shumë i respekton Perëndia i Lavdisë Shërbëtorët e vet të shenjtë.
Ndaj edhe ne, që për shkak të veprave tona dinake nuk kemi guxim, u lutemi Shenjtëve të ndërmjetojnë për ne.