Në fillim do kujtonim se edhe vetë gazeta “Dita informacion” e 20 gushtit 1995 e përgënjeshtronte këtë titull bombastik të vetin, ndërsa bënte të ditur që Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, ka vizituar varrin e Fan Nolit në Boston dhe ka meshuar në gjuhën shqipe në një kishë shqiptaro-orthodhokse. Pra, hirësia e tij Anastas u përul me respekt të thellë para varrit të Imzot Nolit. Pastaj për besimtarët shqiptaro-amerikanë meshoi në gjuhën shqipe, ashtu sikurse kishte meshuar deri para 30 vjetëve peshkop Noli!
Para fakteve të tilla kuptohet sa paradoksal dhe mashtrues është titulli me gërma të zeza: “Janullatosi kundër Nolit” dhe sa keqdashëse dhe djallëzore është sentenca: “Atmosfera e jetës orthodhokse shqiptare është e mbushur plot me dyshime dhe akuza nga forca të caktuara politike”. Menjëherë kuptohet qëllimi i zi i artikullshkruesve për të rifilluar pas një pauze disamujore luftën kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ashtu siç kanë vepruar gjatë viteve të fundit. Duhet gjetur gjithmonë një “Casus belli” për të rifilluar luftën. Dhe dashakeqësit e orthodhoksisë shqiptare, pasi brejtën si mijtë sirtaret e mykura të tyre, e gjetën më së fundi shkakun dhe shpallën: “komisioni i liliputëve po bën një aventurë për të mos thënë atentat antishqiptar”.
Pse bëhet kjo akuzë e tejskajshme? Përgjigja është kryekëput e kundërt me akuzën: sepse KOASH do ribotojë përkthimet liturgjike të Nolit, të pasuruara në gjuhën shqipe, të evoluar gjatë këtyre 80 vjetëve të fundit. Ndaj, sërish tingëllojnë të pakuptimta arsyetimet e këtyre pseudokompetentëve, “mbrojtës” të gjuhës shqipe, që gjoja duke lartësuar Nolin, kërkojnë të ndalojnë nismën qëllimmirë për të ribotuar literaturën kishtare orthodhokse në shqipen moderne të fundit të shekullit të XX.
Kërkesa për të përshtatur literaturën kishtare në shqipe sa më të pastër e më të kulluar, është ngritur prej kohësh. Aq më tepër sot, pas shumë dekadave, kur ka plejada të tëra gjuhëtarësh shqiptarë, shkencëtarë të vërtetë. Dhe po të ishte gjallë imzot Noli, ai do të ishte i lumtur dhe do ta quante për nder që këta specialistë të gjuhësisë sonë t’i sillnin përkthimet e tija kishtare në gjuhën e sotme letrare.
Artikullshkruesit, “Mbrojtës” të veprës së Nolit, për të sulmuar kaq paturpësisht Kryepiskopin Anastas janë mbështetur në një shkrim të teologut të mirënjohur të Kishës sonë, z. Dhimitër Beduli, botuar në gazetën “Ngjallja” në mars 1995. Ata e paraqesin të shkurtuar shkrimin e z. Beduli duke nxjerrë në dukje vetëm ato fraza që atyre u interesojnë, për t’i manipuluar shtrembër në mënyrë që të ngjallin psikozën sikur po denigrohet vepra e përkthyesit Noli. Por, ja se çfarë shkruan ndër të tjera z. Beduli, po në këtë shkrim: “Imzot Noli mbetet gjithmonë nismëtari dhe çarrësi më i madh, më sistematik në fushën e përkthimit të teksteve liturgjike të Kishës sonë… Ndaj KOASH-i e përkujton me shumë respekt e nderim.” Madje shkrimi i z. Beduli është botuar posaçërisht me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së Imzot Nolit. “Mbrojtësit” e Nolit te “Dita” kishin harruar ta përkujtonin atë me ndonjë shkrim me këtë rast dhe përkujtimoren me të cilën KOASH nderoi klerikun e saj të madh Fan Nolin, me anën e penës së fuqishme të teologut patriot Dhimitër Beduli, e shfrytëzuan dhe e shtrembëruan aq djallëzisht këto fosile të bejlurçinës shqiptare.
Miltiadh Veveçka