Kësaj radhe, “protokolli” i vizitës së Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastas, në qytetin e Korçës u “shkel”. Të shtunën më 26 korrik, herët pasdite, vargu i mikrobuzave dhe veturave që e shoqëronin nuk morën, si zakonisht, rrugën për në qendër të qytetit, por u kthyen për në fshatrat e Fushës.
Kryepiskopi Anastas, me grupin e klerikëve, intelektualëve dhe besimtarëve korçarë vizituan njërën pas tjetrës kishat e Shën Nikollës, Fjetjes së Hyjlindëses dhe Shën Triadhës, respektivisht në Terovë, Rrëmbec dhe Zvirinë. Dy të parave po u bëhet riparim i përgjithshëm, ndërsa e treta ndërtohet nga themelet. Ndonëse koha e qëndrimit qe e shkurtër, në të tre fshatrat, besimtarë të shumtë u mblodhën spontanisht nëpër kisha, duke lavdëruar me lutjet e tyre Perëndinë dhe duke i shprehur Kryepiskopit Anastas falenderimet për interesimin e tij të vazhdueshëm.
Në darkë, vargu i makinave mbërrin në qendër të qytetit. Të bie përnjëherë në sy një gjallëri e veçantë. Shumë njerëz hyjnë dhe dalin në katakombën e Katedrales së re. Prania e Kryepiskopit i mblodhi të tërë rreth tij. Të gjithë janë në ankth që të kenë sa më shpejt gati për Liturgjinë Hyjnore paraklisin e katakombës së Kishës së re, që është përfunduar. Të gjithë kujtojnë fjalët që Fortlumturia e Tij Anastas u kishte thënë më 2 gusht 1994, ditën e themelimit të saj: “Shpresoj se brenda një viti do të kemi mbaruar të paktën katin e parë, katakombën…” Eshtë gati. Ndaj ka ardhur edhe ai. Të kremtojë të nesërmen Liturgjinë Hyjnore këtu, bashkë me gjithë besimtarët.
E nesërmja, e dielë 27 korrik, solli në qendër të Korçës gëzimin e mijëra besimtarëve. Kujtimet e ditës së themelimit të Katedrales së re janë shumë të freskëta për të gjithë. Shumë njerëz, – kishte thënë atëhere Kryepiskopi, – kur dëgjojnë për ngritjen e kësaj kishe, na thonë se thurrim ëndrra. Thashë, kemi të drejtën të thurrim edhe ëndrra. Thurrim ëndrra për diçka të vështirë që ja vlen.
Dhe ëndrra tani ka marrë formë. Eshtë realitet. Së shpejti, siç u tha Fortlumturia e Tij Anastas të pranishmëve, fillon edhe faza e dytë e punimeve, që mrekullia e ngritjes së Katedrales “Ngjallja e Krishtit” të hedhë shtatin e plotë, për të qenë gjithmonë, siç e ka cilësuar që në themelimin e saj Kryepiskopi, “qendër e gëzimit e kulturës, paqes, dashurisë”.
Tropari “Krishti u Ngjall” për besimtarët e Korçës tani e tutje do të jetë motivi i jetës së tyre liturgjikale në katedralen e re.
Duke marrë me vete urimet dhe dashurinë e mijëra banorëve korçarë, pas takimeve me klerikët e Mitropolisë së Korçës dhe shumë besimtarë, Kryepiskopi Anastas vizitoi edhe kishat në ndërtim të Drenovës dhe Pogradecit, të cilat ndodhen në fazën përfundimtare të punimeve.