EmailFacebookKontakt

Deklarata të Patrikut Rus Aleksej II

Tensioni midis Kishës Orthodhokse Ruse dhe Kishës Romanokatolike, mbi rolin e dy kishave në Rusi, nuk u zgjidh, tha në Gjenevë udhëheqësi i Kishës Orthodhokse Ruse, Patriku Aleksej II.

“Kisha Orthodhokse Ruse ka bërë gjithçka që e mundur për të gjetur vullnet të mirë dhe bashkëpunim me Kishën Romanokatolike”, tha Patriku duke shtuar se shpresonte shumë në zgjidhjen e shpejtë të vështirësive të mbetura.

Por, tensioni, tha Patriku, vazhdon veçanërisht në Ukrahinën përëndimore, ku të Krishterët Orthodhoksë janë nxjerrë jashtë nga disa prej kishave të tyre, si edhe në Poloni.

Ai akuzoi Kishën Romanokatolike se ka dështuar të jetojë sipas parimit të jetës kishtare të shpallur në Koncilin Vatikan II, i cili theksonte se Kishat Orthodhokse janë kisha motra me Kishën Romano-katolike.

“Nuk besoj se kjo është mënyra e trajtimit të motrave tuaja”, tha Patriku Aleksej.

Që nga rënia e komunizmit dhe shpërbërja e BS-së, prania e kishave besnike të Vatikanit në rajon, si dhe rritja e grupeve më të vogla të krishtera dhe sekteve jo të krishtera në Rusi, kanë shkaktuar tension me Kishën Orthodhokse Ruse, e cila i konsideron veprime të tilla ndërhyrje në hapësirën e vet tradicionale.

Majin e këtij viti, Kryepiskopi Romanokatolik i Moskës, Tadeusz Kondrusiewicz, tha se Kisha Orthodhokse Ruse përpiqej të vinte “tela me gjemba” rreth asaj që Orthodhoksët konsiderojnë “territore të tyre kanonike”.

Patriku Aleksej tha se kultet në veçanti përbëjnë rrezik të madh për Rusinë. “Ata kanë fonde dhe mund të blejnë kohë televizive”, theksoi ai.

Një nga këto kulte ka paguar gjatë dy javëve US $ 70000 për kohë në TV rus, ndërkohë që kulte të tjera përdorin droga dhe hipnoza për të tërhequr njerëz të rinj, tha Patriku, duke paralajmëruar se kishat tradicionale të Rusisë duhet të jenë në dijeni për rritjen e kulteve. Gjatë vizitës se tij në Gjenevë, Patriku Aleksej vizitoi gjithashtu selinë e OKB-së, ku u takua edhe me sekretarin e përgjithshëm të organizmit, Boutros Boutros-Ghali, me të cilin folën për rolin e fesë në promovimin e paqes. Patriku u takua edhe me drejtuesit dhe personelin e KBK-së dhe KKE-së, si dhe organizmave të tjera fetare.

Patriku u foli udhëheqësve kishtarë për rritjen spektakolare të Kishës Orthodhokse të Rusisë që nga fundi i BS-së në dhjetor 1991.

“Numri i enorive është dyfishuar dhe ka arritur sot në 14000… Që nga 1991 janë hapur 13 seminare teologjike të reja, duke e çuar numrin e tyre në 18. Jeta monakale ka rifilluar në 323 manastire”, tha Patriku Aleksej, duke shtuar se që nga fundi i komunizmit kisha ka filluar përpjekje madhore në shërbimin social, shërbimin në ushtri, shërbimin për të burgosurit, edukimin fetar dhe përpjekjet për paqe në Çeçeni dhe në pjesë të tjera të ish BS-së që janë në konflikt.

Në konferencën për shtyp, në përgjigje të kritikave në një pjesë të shtypit rus për ndërtimin e Katedrales së Krishtit Shpëtimtar në Moskë, Patriku Aleksej shprehu edhe një herë mbështetjen e tij për realizimin e këtij projekti.

Marrë nga ENI