EmailFacebookKontakt

Si ta bëjmë botën një vend më të mirë

Sa prej nesh, lexojmë gazetat ose dëgjojmë lajmet dhe shohim gjërat e tmerrshme që ndodhin përreth nesh? Luftë dhe dhunë në të gjithë botën; korrupsion dhe pandershmëri në shoqëri; papunësi, varfëri, vuajtje dhe përpjekje. Kur disa njerëz i dëgjojnë këto humbasin shpresën për të ardhmen. Largohen nga Perëndia dhe pyesin: “Nëse ka një Perëndi, pse nuk bën Ai diçka për ne këtu në tokë? Nëse Perëndia është kaq i madh, pse nuk na ndihmon? Ku është Perëndia?”

Kjo është një pyetje e rëndësishme. Dhe besimi ynë orthodhoks ka një përgjigje shumë konkrete. “Pse nuk bën diçka Perëndia?” Ka bërë! Ai ka krijuar secilin prej nesh. Dhe jo vetëm na ka krijuar, por edhe na ka bekuar në mënyra të panumërta, që ne të mund të jemi duart e Tij, këmbët e Tij dhe prania e Tij tek ata që kanë nevojë. Krishti tha: “Nuk më zgjodhët ju mua, por unë ju zgjodha juve, dhe ju urdhërova juve që të shkoni dhe të bëni pemë, edhe pema juaj të mbetet.” (Joani 15:16). Nëse ne e kuptojmë dhe e besojmë potencialin e pakufizuar që ndodhet brenda secilit prej nesh dhe faktin që Perëndia do që ne t’i përdorim dhuratat tona për t’i shërbyer Atij, atëherë bota në të cilën jetojmë do të ishte një vend shumë më i mirë. Çdonjëri prej nesh, me të vërtetë, mund të bënte gjëra të mëdha për Perëndinë. Mos harroni: ‘Pa Perëndinë ne nuk mund të bëjmë gjë; por pa ne, Perëndia nuk do të bëjë gjë.” Perëndia na përdor për të arritur qëllimet e Tij mbi tokë. Kështu që, secili prej nesh, duhet të lutet sikur gjithçka varet nga Perëndia, por të punojë sikur gjithçka të varej nga ne!

Në mënyrë që t’i shërbejmë Perëndisë dhe të përmbushim potencialin që na ka dhënë, na ndihmon njohja e vetvetes. Sepse, nëse kuptojmë se cilët jemi, atëherë do të ndërgjegjësohemi më mirë për këtë.

“Kush jemi ne?”

Së pari, ne jemi bijtë e Perëndisë: shqiptarë, amerikanë, rusë, kinezë, grekë, apo afrikanë qofshim, jemi të gjithë bij të Perëndisë. Të krishterë, muslimanë apo ateistë, jemi të gjithë bij të Perëndisë. I gjithë njerëzimi është njëlloj. Jemi të gjithë bij të Perëndisë së Gjithëfuqishëm. Fakti më i rëndësishëm për secilin prej nesh është që të kuptojë se ne kemi një Perëndi që na do më shumë se sa prindërit më të dashur. Kemi një Perëndi që kujdeset për ne më shumë se sa ne për veten tonë. Ne kemi një Perëndi që na do të rritemi e të bëhemi të krishterë të përgjegjshëm, që do t’i shërbejmë besnikërisht Atij në mënyra të mrekullueshme.

Çfarë tjetër jemi ne?

Jemi njerëz të krijuar sipas shëmbëllimit të Perëndisë. Ky është tipari ynë dallues nga të gjitha kafshët dhe krijesat e botës. Ne jemi krijuar sipas shëmbëllimit të Perëndisë, për të qenë krijesa të dashurisë, të lirisë, të arsyes. Kjo do të thotë, se ne të gjithë kemi potencialin të bashkohemi me Perëndinë dhe të bëhemi si Krishti. Kjo do të thotë, se potenciali ynë është i pa-kufizuar. Ne kemi një masë të pakufizuar mirësie brenda vetes dhe kjo mirësi mund të shndërrohet në gjëra të mëdha, nëse lejojmë Perëndinë të punojë brenda nesh.

Çfarë tjetër jemi ne?

Ne jemi shenjtorë potencialë. Po, ju dhe unë mund të bëhemi shenjtë. Ne mund të kemi fotografinë tonë në një ikonë në Kishë, por kjo, NESE ne ia ofrojmë jetën tonë plotësisht Perëndisë, NESE ia përkushtojmë vetveten Atij dhe i shërbejmë me përunjësi dhe dashuri. Pavarësisht nga aftësitë natyrale, pavarësisht nga niveli arsimor, secili prej nesh mund të bëhemi shenjt! Mos harroni, se në Kishën e hershme të gjithë besimtarët quheshin shenjtorë. Prej tyre pritej që të përmbushnin këtë rol. Në mënyrë të ngjashme, sot në shërbesat e Kishës, vini re se prifti nuk temjanis vetëm ikonat, por të gjithë njerëzit, të cilët mund të bëhen një ditë shenjtë.

Kështu që, të gjithë ne jemi të veçantë në sytë e Perëndisë. Perëndia pret gjëra të mëdha nga të gjithë bijtë e Tij. Mos mendo kurrë se nuk je shumë i veçantë në sytë e Perëndisë. Je. Dhe ke dhurata dhe talente të veçanta, të cilat Perëndia do që t’i përdorësh. Por, çelësi është se ti duhet t’ia japësh ato Perëndisë dhe t’i thuash: “Ja. Këto dhurata që kam janë të Tuat. Përdori si të duash. Jam këtu thjesht vetëm për t’Ju shërbyer!” Prit gjëra të mëdha prej Perëndisë dhe përpiqu të bësh gjëra të mëdha për Perëndinë!

Jam i sigurt se ka disa njerëz që e lexojnë këtë dhe thonë: “Nuk e besoj. Ç’farë kam unë t’i ofroj Perëndisë? Ç’ndryshim mund të sjell unë në botë? Unë jam vetëm një njeri dhe një njeri i vetëm s’mund të bëj kushedi se çfarë!”

Por, shiko historinë dhe do të vëresh shembuj të panumërt të individëve të ndryshëm, që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë. Virgjëresha Mari ishte një vajzë e vogël e përulur (14-16 vjeçe) kur i tha “Po” Perëndisë dhe u bë instrument për ndryshimin e botës. Kur Perëndia donte ta përdorte atë për të ndihmuar botën, ajo thjesht tha: “Ja ku jam, shërbëtorja e Zotit. Le të bëhet sipas fjalës sate.”

Apo të dymbëdhjetë apostujt, shumica e të cilëve ishin peshkatarë të varfër dhe të pashkollë. Këta burra u bënë mësues dhe predikues të guximshëm dhe udhëheqësit e parë të Kishës. Po Shën Pavli? Ai ishte mëkatar i madh, persekutues i të krishterëve dhe fliste keq për emrin e Iisuit. E megjithatë, u bë misionari më i madh dhe përçues i lajmit të mirë në të gjithë botën. Ka shembuj të panumërt të burrave dhe grave të thjeshta, të cilët ia dhuruan jetën dhe talentet e tyre Perëndisë dhe u bënë shenjtorë dhe drita shkëlqyese të dashurisë, gëzimit dhe shpresës në të gjithë botën.

Çdonjëri prej nesh është vetëm një person dhe megjithatë, Perëndia ka nevojë që secili prej nesh të ndihmojë për botën që të bëhet një vend më i mirë. Një njeri i vetëm mund të bëjë një ndryshim të madh dhe ai njeri mund të jesh ti. Thuaji Perëndisë: “Zot, ja ku jam! Përdormë si të duash. Çfarëdolloj dhurate apo talenti që zotëroj, ta ofroj Ty dhe të kërkoj t’i përdorësh ato për të ndihmuar të tjerët, në të gjithë botën.” Nëse themi këtë lutje çdo ditë, Perëndia do të fillojë të na përdorë dhe bota përreth nesh do të ndryshojë dalngadalë drejt një vendi të ri e të bukur.