Në vitin 294 doli një urdhër perandorak, që të digjeshin tekstet e shenjta të të krishterëve. Ndaj, një sundimtar ftoi shenjtorët – të cilët jetonin në qytetin e panjohur për ne Tuvukja – u lexoi shkresën dhe kërkoi që t’i dorëzojnë librat. Feliksi refuzoi menjëherë, sepse Shkrimet na thonë “Mos u jepni gjërat e shenjtëruara qenve dhe as mos hidhni margaritarët tuaj përpara derrave” (Matth. 7:6).
Sundimtari e quajti përgjigjen e tij tepër arrogante, prandaj e burgosi për tri ditë, pa bukë e ujë. Më pas përdori taktikën e lajkave, por nuk pati asnjë tërheqje nga Shenjti. Ndaj e dërgoi tek nënkonsulli romak, së bashku me tre të krishterë të tjerë; presviterin Ianuar, Furtunatin dhe Septiminin, ku i hodhën në burg për njëmbëdhjetë ditë. Pas kësaj i dërguan tek pretori, i cili i futi për dy javë në një birucë të tmerrshme dhe pastaj i hipën në një anije të lidhur në këmbë kuajsh, ku u dergjën pa bukë e ujë për katër ditë, derisa mbërritën në një port, ku u kujdesën për ta në fshehtësi disa besimtarë. Nëpërmjet Taorminës së Siçilisë i çuan për në Likaoni, në pjesën jugore të Azisë së Vogël, ku pretori i zgjidhi dhe u kërkoi të bënin therore. Meqë s’u lëkundën në vendosmërinë e tyre si të krishterë, u pret kokën, pasi më parë ata iu falën Perëndisë. Thuhet se gjatë ekzekutimit të tyre “dielli dhe hëna… u shndërruan në gjak.” Një tjetër informacion tregon si vend të martirizimit të tyre Romën ose Puljen e Italisë juglindore.
Kremtohen më 16 prill dhe më 30 gusht.