UNGJILLI
Gjashtë ditë mëpas, Iisui mori me vete Petrin, Jakovin dhe vëllain e tij Joanin, dhe i çoi mënjanë në një mal të lartë. Dhe ndërroi fytyrën para tyre; fytyra e tij ndriti si dielli, dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita. Dhe ja ku iu shfaqën atyre Moisiu dhe Ilia, duke biseduar me të. Dhe Petro i tha Iisuit: Zot, është mirë për ne të rrimë këtu; po të duash, do të bëjmë këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun dhe një për Ilian. Dhe ndërsa ai po vazhdonte të fliste ende, ja ku i mbuloi ata një re e ndritshme, dhe ja, një zë nga reja që thoshte: Ky është Biri im i dashur, të cilin e pëlqeva; dëgjojeni atë. Dhe nxënësit kur dëgjuan këtë ranë përmbys, dhe i kapi një frikë e madhe. Por Iisui iu afrua, i preku dhe tha: Ngrihuni, e mos u frikësoni. Dhe kur ata ngritën sytë, nuk panë asnjeri, veçse Iisuin krejt vetëm.
Dhe kur po zbritnin nga mali Iisui u dha atyre këtë porosi: Mos i flitni asnjeriu për vegimin që patë, derisa Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekurish. Dhe nxënësit e pyetën: Pse thonë pra shkruesit se më parë duhet të vijë Ilia? Dhe Iisui, duke u përgjigjur, u tha atyre: Po, Ilia do të vijë më përpara dhe do të rivendosë gjithçka. Por unë po ju them: Ilia tashmë erdhi dhe nuk e njohën; dhe bënë me të çfarë deshën, kështu edhe Biri i njeriut do të pësojë nga ata. Atëherë nxënësit e kuptuan se ai po u fliste për Joan Pagëzorin.”
(Matth. 17:1-13)
“Edhe Ai ndërroi fytyrën përpara atyre; edhe faqja e Atij ndriti porsi dielli; edhe rrobat e Atij u bënë të bardha porsi drita” (Matth. 17:2).
Metamorfoza është një theofani, – një shfaqje e Perëndisë, veçanërisht e Perëndishmërisë së Krishtit, nëpërmjet një manifestimi të energjisë së Tij të pakrijuar, hyjnore. Prandaj, Kisha Orthodhokse e kremton Metamorfozën e Shenjtë të Zotit si një festë madhore.
Shumë elemente të Metamorfozës tregojnë se Krishti është Messia dhe Perëndi:
1. Sepse Perëndia është dritë (I Joani 1:5), reja e ndritshme, ndriçimi i fytyrës së Iisuit porsi dielli, dhe bardhësia e rrobave të Tij (Matth. 17:2,5), të gjitha tregojnë se Iisui është Perëndi. (Në disa ikona kjo dritë tregohet me një ngjyrë që shkon përtej së bardhës, një ngjyrë blu e bardhë, ngjyrë e papërshkrueshme, duke treguar kështu origjinën shpirtërore).
2. Ati jep dëshmi nga qielli për Birin e Tij. Ai nuk thotë: “Ky është bërë Biri im i dashur”, por “Ky është Biri im i dashur” duke treguar se kjo lavdi hyjnore është në natyrën e Krishtit. Që nga e shkuara e amëshuar, deri në infinit përpara Pagëzimit e Metamorfozës së Krishtit, Ai është Biri i Perëndisë, i bashkëqenshëm me Atin: Iisu Krishti është Perëndi prej Perëndie.
3. Metamorfoza e Zotit Iisu Krisht jo vetëm që shpall se Krishti është Bir i Perëndisë, por parathotë lavdinë e Tij të ardhshme, kur Ai si Messia do të drejtojë në Mbretërinë e shumëpritur. Reja e ndritshme kujton lutjen në tempull dhe renë që kaloi para Izraelitëve në shkretëtirë, shenja e dukshme kjo se Perëndia është jashtëzakonisht i pranishëm. Apostulli Petro e sheh këtë si një shenjë se Mbretëria ka ardhur. Duke ditur se Tabernakula është festa e Mbretërisë që do të vijë, ai kërkon të ndërtojë tenda (Matth. 17:4), ashtu siç u bë në atë festë, për të shërbyer si simbole të pranisë (qëndrimit) të Perëndisë midis të drejtëve në Mbretëri.
4. Moisiu përfaqëson Ligjin dhe të gjithë ata që kanë vdekur. Ilia përfaqëson Profetët dhe – përderisa ai nuk ka vdekur – të gjithë ata që janë të gjallë me Krishtin. Pranija e tyre tregon se Ligji dhe Profetët, të gjallët dhe të vdekurit, të gjithë japin dëshmi të Iisu Krishtit si Messia, plotësimin e gjithë Dhjatës së Vjetër.
Prania e Moisiut dhe Ilias tregojnë gjithashtu shoqërinë e shenjtëve (Ebr. 12:1). Të dy njerëzit dallohen përnjëherë dhe flasin me Krishtin. Nxënësit janë në gjendje të kuptojnë fjalët e Iisuit se “Ilia ka ardhur” (Matth. 17:12), duke iu referuar Joan Pagëzorit. Sytë e tyre kanë qenë të hapura ndaj faktit se profecia e Malahisë i referohet njeriut që vjen “me frymë e me fuqi të Ilias” (Luk. 1:17), sesa vet Ilias.
5. Përfundimisht, këtu shfaqet Shën Triadha, sepse Krishti ndërron fytyrë (Matth. 17:2), Ati flet nga qielli duke dëshmuar se Krishti është Bir i Perëndisë (Matth. 17:5) dhe Shpirti i Shenjtë është i pranishëm në formën e një drite verbuese që rrethonte personin e Krishtit, duke mbuluar gjithë malin (Matth. 17:5).
(Marrë nga The Orthodox Study Bible)