Dikur, Anthimi, murg nga manastiri Dhionisiu i Malit të Shenjtë, vizitoi në spitalin e manastirit një murg të ri që ishte i sëmurë. Për ta ngushëlluar i rrëfeu një ndodhi nga jeta e vet:
“Vëllai im, ki shpresën tënde te e Tërëshenjta, shëruesja dhe mbrojtësja e murgjërve. Dëgjo peripecinë time për t’u mrekulluar nga mbrojta e saj e qëndrueshme.
Kur isha në moshën tënde, 25 vjeç dhe sapo isha bërë murg, u sëmura rëndë. Isha bërë kufomë për një periudhë të gjatë kohe. Nuk e di se çfarë sëmundje ishte, reumatizëm apo ndonjë gjë tjetër. Sidoqoftë, ndjeja shumë dobësi në të gjithë trupin. Përdorja paterica për të ecur. Sikur të mos mjaftonte kjo, u verbuan edhe sytë e mi dhe mezi shihja para vetes.
Erdhën dy mjekë dhe më vizituan. Por nuk mundën të më ndihmonin në asgjë. Për më tepër, sa më shumë që shkonte koha, gjendja përkeqësohej. Qaja ditë dhe natë dhe thosha: ‘Krishti im, ç’është kjo që më gjeti! Vallë unë jam më mëkatari? Murg i ri dhe të gjendem i verbër dhe paralitik në spital dhe të më shërbejnë të moshuarit? Më mirë të vdes!’
Shumë vëllezër më këshillonin të shkoja në vende të tjera, që të më vizitonin doktorë më të mirë. Por, një vëlla, shumë shpresëtar dhe i respektuar, që më donte në veçanti, m’u afrua dhe më tha:
– Dëgjo, biri im. Siç e di, këtu në manastirin tonë kemi një ikonë historike, por mbi të gjitha mrekullibërëse, ‘të Tërëshenjtën e Akathistit’. I është dhuruar themeluesit të manastirit tonë nga perandori Aleks Komnino. Në lyerjen e saj të argjendtë dhe në drurin e saj të stërlashtë ruhen mbishkrime të cilat dëshmojnë se kjo ka qënë ikona me të cilën Patriku Serji bëri litani përreth mureve të Konstandinopojës dhe largoi Persët dhe Avarët në vitin 626. Përpara së njëjtës ikonë psallën pastaj për herë të parë ‘Përshëndetjet e Tërëshenjtës Mari’, duke falenderuar Hyjlindësen për shpëtimin e tyre. Tradita thotë se është një nga të 70 ikonat e evangjelistit Lluka. Shumë herë nxorri miro erëmirë. Shko edhe ti pra, bjer në gjunjë para saj, dhe lutju me besim të flaktë dhe lot, sidomos tani që po afron edhe e kremtja e saj. Dhe ajo, si nënë e dhembshur që është, do të të ndihmojë edhe ty të munduarin.
Këto fjalë më dhanë kurajo. Forcuan besimin tim dhe iu drejtova me gjithë shpirt të Tërëshenjtës, duke iu lutur me lot të nxehtë.
Kur erdhi festa e saj, të shtunën e pestë të Kreshmës së Madhe, vajta një ditë para dhe qëndrova gjatë gjithë natës. U luta shumë para ikonës së saj. Shumë i lodhur, siç isha, më zuri gjumi mu aty.
Dhe atëhere, çfarë shikoj! Shikoj të Tërëshenjtën të veshur me rroba të tërëarta, mes një drite të shkëlqyeshme, duke ndritur nga drita dhe lavdia. Qëndronte dy pëllëmbë mbi dhe dhe më shikonte me një vështrim të gëzueshëm. Hapi gojën e saj mjaltkulluar dhe më tha:
– Përse po qan biri im Anthim?
– Si të mos qaj, e Tërëshenjta ime? Nuk e sheh në çfarë halli jam, si jam katandisur?
– Mos qa, por kujdesu për shpëtimin tënd.
Këto më tha, më bekoi dhe u ngrit në qiell.
U zgjova menjëherë. Fërkova sytë dhe shikoj kandilet të ndezura. Mora kurajo dhe u ngrita në këmbë. Çfarë të shikoj? Ecja me lehtësi. E kuptova menjëherë! E Tërëshenjta e kishte bërë mrekullinë e vet. Sa gëzim ndjeva! Sa lot falenderimi derdha! Sa himne psalla, nuk mund të përshkruhet!
Pas pak kishtari hapi kishën. Më pa të ecja dhe nuk u besonte syve të tij. Një nga një m’u afruan të gjithë etërit. Kur më panë të shëndoshë, lavdëruan thellësisht, me gjithë shpirt, Zotin Krisht dhe Nënën e Tij, për dashurinë e saj të pakufishme”.