Më 15 gusht Kisha e Shenjtë Orthodhokse kremton kujtimin e Fjetjes së Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari. Më poshtë botojmë dy nga mrekullitë e panumërta që janë kryer nga Zoti ynë Iisu Krisht me ndërmjetimet e saj, ndërsa në krah ikonën e së Kremtes.
Ishte një vajzë që quhej Mari. Babai i saj ishte i krishterë dhe dëshironte ta martonte. Mirëpo, ajo s’pranonte, se donte të ruante virgjërinë. Atëhere i ati e çoi në një manastir grash dhe ia dorëzoi igumenes, për ta pasur si vajzën e vet. Pas vdekjes së babait, në atë vend ndryshoi pashai, i cili doli një ditë dhe vajti në manastirin ku ishte Maria. Menjëherë sa e pa pashait i dogji zemra nga dashuri satanike. Me t’u kthyer në shtëpi, ai i dërgoi një letër igumenes ku i thoshte: Të më dërgosh menjëherë Marinë, sepse e pashë edhe më pa, e dashurova dhe më dashuroi.
Igumenia, pasi lexoi letrën, thirri Marinë dhe i tha: Bija ime, ç’të mirë pe te pashai dhe e pe me dashuri? Shika çfarë më shkruan këtu! Atëhere Maria i thotë: Unë nuk di gjë; me tjetër qëllim e pashë dhe thashë: “Perëndia im, lavdinë që ka këtu ky pasha, a do ta ketë vallë edhe në botën tjetër?” Ndërsa ai më pa me qëllim diabolik. Unë po të doja burrë, më martonte edhe babai dhe martohesha me të krishterë. Atëhere igumenia i shkruan pashait: Më mirë të dërgoj kokën time të prerë, sesa Marinë. Por pashai i shkroi përsëri igumenes dhe i thotë: Ose më dërgon Marinë, ose vij dhe e marr vetë dhe e djeg manastirin. E dëgjoi këtë Maria dhe i tha Igumenes: Kur të vijnë njerëzit e pashait, dërgoi në qelinë time dhe do t’u përgjigjem.
Erdhën të dërguarit në qelinë e Marisë dhe ajo i pyeti se çfarë kërkonin. Ata i thanë: Na dërgoi pashai të të marrim, sepse pa sytë e tu dhe i pëlqyen. Maria u tha që ta prisnin sa të shkonte në Kishë. Mori atëhere një thikë dhe një pjatë dhe shkoi para ikonës së Iisu Krishtit dhe tha: Zoti im, më dhe sytë trupore që të shkoj në rrugë të mbarë dhe unë të shkoj me dëshirën time në rrugën e keqe, s’është e hijshme. Dhe, ngaqë këto sy truporë do të më nxjerrin sytë shpirtërorë, ja ku po i nxjerr për dashurinë Tënde, për të ikur nga llumi i mëkatit. Menjëherë nguli thikën në sy, e nxori dhe e vuri në pjatë. Vajti përpara ikonës së Hyjlindëses Mari dhe nxori edhe syrin tjetër, duke i vënë së bashku. Atëhere ia dërgoi pashait. Sa i pa pashai, menjëherë dashuria satanike iu kthye në frymë të dërrmuar dhe u ngrit në çast e vajti në manastir dhe iu lut murgeshave të shkojnë dhe t’i bëjnë lutje Perëndisë që të shërohet Maria.
Shkuan të gjitha bashkë me pashain dhe duke bërë metani iu lutën Zotit dhe Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari, që t’i japë dritën e syve Marisë. Atëhere u shfaq Hyjlindësja, porsi rrufe dhe i thotë: Gëzohu Mari! Ngaqë parapëlqeve të nxjerrësh sytë e tu për dashurinë e Birit tim dhe për dashurinë time, merri prapë sytë e tu dhe tundim të mos të të ngasë më kurrë. Duke parë mrekullinë të pranishmit u gëzuan sa nuk mund të përshkruhet dhe lavdëruan Perëndinë dhe Hyjlindësen e Tërëshenjtë. Pashai i dhuroi manastirit shumë thesare, mori falje nga murgeshat, bëri të mira e shpëtoi.
Dëgjoni vëllezër se çfarë bëri Maria me ndihmën e Tërëshenjtës? Prandaj duhet që edhe ne të nderojmë Tërëshenjtën Hyjlindëse me vepra të mira.