Në një lëndinë të gjelbëruar, midis një pylli me pemë shumëvjeçare, është vendosur manastiri i Shën Kozmait, ose siç quhet me një emër më të vjetër, manastiri i Kolkondasit. Në afërsi të tij ndodhet fshati Libofshë. Ky manastir është një nga më të rëndësishmit e kësaj zone, së bashku me atë të Fjetjes së Shën Marisë në Ardenicë dhe të Shën Marisë në qytetin antik të Apollonisë. Historia e manastirit lidhet me aktivitetin dhe influencën në këtë zonë të dëshmorit të besimit orthodhoks, Shën Kozmait. Murgu Kozma ishte shumë i respektuar edhe nga Ali Pashai, i cili për nder të tij ndërtoi kishën.
Kisha e manastirit është e tipit bazilik dhe me kupolë. Muret e saj nuk janë pikturuar me afreske sipas traditës, por ka një ikonostas prej druri, që mbart ikona të shek. XIX. Ndër këto vepra është një gravurë e derdhur në bronx, realizuar në vitin 1828, e cila paraqet figurën e murgut Kozma dhe përreth ciklin ikonografik, me episode që ilustrojnë jetën e tij deri në momentin e vrasjes.
Nga gjurmimet e bëra dhe sipas të dhënave gojore, rezulton se ky manastir i përket shek. XIV.
Përbri kishës ekzistuese ndodhet një kishë e rrënuar, mbytur nga rrjedha e lumit Seman, e cila mban emrin e Shën Marisë. Në shtresën e mbuluar nga dheu ruhen afresket e shenjtorëve më këmbë dhe skena e Kungimit të Apostujve. Deri në vitin 1986 ruheshin në anën veriore hajatet e këtij asambli, gurët e gdhendur të portës kryesore dhe elemente të tjera të godinave.
Piktori i përmendur anglez E. Lir, që kishte kaluar në këtë manastir gjatë shek 19, përshkruan në mënyrë realiste jetën e gjallë, aktivitetin fetar dhe kulturor, me shkollën e fëmijëve dhe bibliotekën e pasur. Megjithë ndërprerjen e riteve fetare prej vitesh, populli i kësaj zone dhe besimtarë patriotë do të kujdeseshin për ruajtjen e këtij vendi të shenjtë dhe lipsanit të Shën Kozmait, gjë që tregon përkushtimin ndaj këtij shenjtori. Me mijëra pelegrinë vijnë këtu në këtë manastir në muajin gusht, kur zhvillohet edhe një panair i madh.