EmailFacebookKontakt

Kometë në kupën e qiellit

Në disa shkrime, të mbushura me shpifje të ulëta dhe tepër fyese për çdo besimtar orthodhoks, është sulmuar kujtimi i Dëshmorit të shenjtë, Shën Kozmait të Kolkondasit, i cili u martirizua nga pushtuesit turq. Si përgjigje ndaj tyre shërben edhe përkujtimi që i ka bërë atij Fortlumturia e Tij Kristofori (Kisi), Kryepiskopi i parë kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën po e ribotojmë.

Gjithashtu, kujtojmë se Imzot Noli i kishte lënë Shën Kozmait një vend mjaft të gjerë në librin e Kremtores, duke theksuar me respekt se “Përkthimin e kemi bërë lirisht…, me përjashtim të këndimit të Shën Kozmait të Beratit, të cilit i parafrazuam nga versioni shqip i Kryehirësisë së Tij, Imzot Kristofor Kisit, Kryepeshkopit të Shqipërisë…”

Posi një nga kometat, që nga një kohë në tjetër shfaqen në kupën e qiellit, derdhin dritë të shkëlqyeshme dhe zhduken shpejt, kështu prezantohet përpara nesh dhe fytyra e ndritshme e Shën Kozmait.

Ky Shenjt nuk ishte nga ata fetarë e kallogjerë të paditur e mendjengushtë, që të ngjitur në letra të vdekura, harrojnë frymën e vërtetë të besimit fetar. Ai ishte një njeri me kulturë, me horizont mendor të gjerë dhe, natyrisht me mendime fetare të larta.

Kjo gjë duket qartë si nga veprat ashtu dhe nga jetëshkrimi i tij, i shkruar, në origjinal, prej një admiruesi të tij. Këto na japin të kuptojmë se Shën Kozmai ishte njeri me vullnet të fortë dhe me aktivitet të palodhur. Në ato kohëra kaq të zorshme të frikës, ai, me mundime të mëdha dhe me rreziqe të patregueshme, shëtiti anembanë Shqipërinë; derdhi pasurisht dritën dhe mësimet e tij të çmueshme, dhe u përpoq që të forconte, të inkurajonte popullin e dëshpëruar. Me anën e këtij aktiviteti mundi ta shpëtojë dhe ta përmbajë.

Po si ia arriti vallë këtij qëllimi?

Duke përhapur dritën në popull, duke çelur shkolla gjithkund dhe duke bindur popullin që t’i mbante këto me çdo therori. Dhe kjo është merita e tij më e madhe.

Si një njeri me kulturë të gjerë ai e dinte që kjo ishte e vetmja udhë për të formuar në shpirtin e popullit një fetarizmë, jo të dukshme, po të gjallë, të thjeshtë dhe të çliruar nga paragjykimet.

Eshtë e vërtetë! Pa dije nuk mund të ekzistojnë dhe idetë fetare të thjeshta. Padija është rrënja e shumë ligësive; po më tepër ajo është nëna e supersticioneve të errëta. S’ka dhe s’mund të ketë besim dhe kult fetar të pastër pa mësim.

Le të hedhim një vështrim në popullin tonë. Me hidhërim do të vërejmë se është degjeneruar në një shumicë të tij ideja fetare dhe gjer në ç’gradë ajo e ka humbur karakterin e saj të lartë dhe influencën bamirëse. Ajo në vend që të jetë burim aktiviteti të gjallë, të shfaqur në vepra të hijshme, në njerëzillëk, përkundrazi krijon në shpirtin e tij paralogjizma të rrezikshme.

Për një të paditur Fe domethënë ceremonira, zakone dhe formalitete. Atij i duket se kur mban këto, i ka mbaruar të gjitha detyrat fetare. Këto supersticione, trashëgim i një të shkuare të gjatë, që kanë pushtuar shpirtin e një shumice të popullit, i përngjajnë Hidrës mitologjike, së cilës, kur i pritej një kokë, mbinte në vendin e saj një tjetër.

Po është vallë kjo Feja e vërtetë? Janë Fe supersticionet e paarsyeshme e të errëta?

Kurrë, kurrë! Inteligjenca e Lartë që drejton gjithësinë e pajisi njeriun me arsye, që është zbulimi i tij i vërtetë, një shkëndijë e dritës së tij të amëshuar. Mbi atë dritë, pra, të rrjedhur prej Atij vetë duhet të bazohet çdo besim.

Fe nuk janë zakonet dhe supersticionet prapanike, po sjellja e mirë, sinqeriteti dhe nderi në relacionet dhe shoqi-shoqin. Fe është të bësh detyrën, t’i shërbesh njëri-tjetrit; Fe, sidomos, është të bëhesh theror për të mirën e përgjithshme, për atdheun. Këto janë shenjat e thjeshta dhe të gjalla të Fesë, dhe në to na udhëheq Arsyeja, e ndriçuar nga mësimi.

Ja përse Shën Kozmai punoi për t’i frymëzuar popullit këto parime të larta; ja përse ai u përpoq që të përhapte dritën, të çelte shkolla.

Këto parime ai i vërtetoi dhe me shembullin e tij të bukur dhe sidomos me mbarimin heroik, duke ofruar jetën e vet si theror në altarin e idealit që ndiqte.

Urojmë që ajo fytyrë kaq e ndritshme të qëndrojë gjithnjë e gjallë përpara syve tanë dhe të na kujtojë gjithmonë karakterin e lartë të Fesë, që është: Humanizmi dhe theroria, drita dhe përparimi.