Në kuadrin e ciklit të vizitave, që sipas traditës së Kishës Orthodhokse, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Anastasi do të bëjë në të gjitha Kishat Orthodhokse Autoqefale të botës dhe më pas udhëheqësit e tyre do të vizitojnë nga ana e tyre Kishën tonë, nga 21 deri 24 korrik të vitit në vazhdim Ai vizitoi Patrikanën Ekumenike të Konstandinopojës.
Në këtë vizitë, e para e ciklit, Fortlumturia e Tij Anastasi shoqërohej nga Përfaqësuesi i përgjithshëm arkieratik At Jani Trebicka, At Efthim Kallama, dhiakon Sotir Xhaferi dhe teologu z. Dhimitër Beduli.
Më poshtë po botojmë një reportazh nga kjo vizitë, ndërsa në numrin e ardhshëm do të botojmë pjesë nga përshëndetjet zyrtare gjatë vizitës.
E premte 21 korrik, ora 11 paradite. Nga aeroplani Stambolli paraqiste një pamje të mrekullueshme, si për pozicionin natyral ashtu dhe për anën artistike – arkitektonike. Një qytet i dimensioneve të mëdha, që tërhiqte vazhdimisht vëmendjen e mbarë botës. Me të vërtetë i madh ka qenë perandori Konstandin, që e zgjodhi për kryeqytet të perandorisë së tij atë vend të mrekullueshëm!
Në aerodrom, për të pritur delegacionin, kishin ardhur dy përfaqësues të lartë të Patrikanës, Kryehirësitë e tyre, mitropoliti i Pergjit Evangjellos, anëtar i Sinodhit të hirshëm të Patrikanës dhe Mitropoliti i Filadelfisë, Meliton, sekretar i përgjithshëm i Tij.
I shoqëruar prej të dy prelatëve të lartë, delegacioni u drejtua për në lagjen Fanar, ku ndodhet qendra e madhe e Orthodhoksisë, Patrikana Ekumenike. Në oborrin e saj kishin dalë për të pritur delegacionin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë e gjithë hierarkia e lartë, krejt kuadri klerik e laik i Saj, si edhe shqiptarë me banim në Stamboll. Të gjithë së bashku, nën tingujt e këmbanave, hynë në Kishën Patriarkale të Shën Gjergjit, ku, pas himnit të Kryepiskopit Anastas, i cili, i veshur me mandian, zuri vend mbi fronin patriarkal, prej psalltëve të Kishës filloi të psallet në mënyrë pompoze Dhoksologjia. Më pas, delegacioni u prit nga Tërëshenjtëria e Tij Fort e Hyjshme, Patriku Ekumenik Vartholomeu I, në prani dhe të anëtarëve të Sinodhit të Hirshëm.
Tërëshenjtëria e Tij Fort e Hyjshme i uroi mirëseardhjen delegacionit të Kishës sonë, shprehu gëzimin dhe kënaqësinë e Tij për punën e madhe që është kryer deri tani për ringritjen e riorganizimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me gjithë pengesat dhe vështirësitë e hasura dhe i bëri një vlerësim të denjë personit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, për kontributin shumë të çmuar që ka dhënë në fushën kishtare, studimore dhe misionare. Ai premtoi, së fundi, se Kisha e Madhe dhe e Shenjtë e Krishtit do të jetë gjithnjë pranë Kishës motër të Shqipërisë dhe se do të jetë gati të japë çfarëdo kontributi të mundshëm.
Duke iu përgjigjur Tërëshenjtërisë së Tij Fort të Hyjshme, Kryepiskopi Anastas falenderoi për pritjen jashtëzakonisht të përzemërt që i rezervoi delegacionit, për vlerësimin që i bëri punës së kryer dhe personit të tij modest, duke theksuar, se vizita e tanishme e këtij delegacioni është edhe një shprehje e përzemërt dhe e sinqertë e mirënjohjes dhe e falenderimit ndaj Kishës të Madhe e të Shenjtë të Krishtit, ndaj Patrikanës Ekumenike, për inisiativën që Ajo mori në kohën e duhur dhe në bazë të së drejtës që gëzon, si i pari fron i Orthodhoksisë mbarë, për zgjidhjen kanonike të problemit të rindërtimit dhe riorganizimit të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale dhe siguroi Tërëshenjtërinë e Tij të Hyjshme se me ndihmën e Perëndisë, me kontributin e Kishës të Shenjtë e të madhe të Krishtit dhe me ndodhjen pranë të të gjitha kishave motra e në radhë të parë, të elementit shpresëtar Orthodhoks të Shqipërisë, do vazhdojë përpjekjet për përparimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Pas pritjes, pasoi dreka e përbashkët në Patrikanë, ndërsa pasdite delegacioni ynë vizitoi Kishën e madhe të Shën Sofisë, ku profesori i shquar i Institutit të Lartë të Halkit, z. V. Stavridhi, dha shpjegimet historike. Dita u mbyll me darkën e dhënë për nder të delegacionit nga Mitropoliti i Laodikisë Jakovi.
E shtunë 22 korrik, ora 10-13 paradite. Delegacioni i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pati një takim me një delegation të Patrikanës Ekumenike, të përbërë nga Mitropoliti i Përgjithshëm, Kryehirësia e Tij Evangjellos dhe Mitropoliti i Filadelfisë, Kryehirësia e Tij Meliton, ku u bë një analizë më e detajuar e punës së kryer për rindërtimin dhe riorganizimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri, të rezultateve të arritura, të vështirësive që hasen dhe të problemeve që kanë lindur e presin zgjidhje. Nga të dy palët u pa e domosdoshme për zgjidhjen e çdo problemi mbështetja kryesisht në kanunet e traditat e hirshme Orthodhokse. Të dy palët qenë gjithashtu dakord për kontakte më të shpeshta, për një bashkëpunim më të ngushtë midis të dy kishave, si edhe për vazhdimin e taktikës së urtë e largpamëse që ndjek Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasi, që Kisha Orthodhokse Autoqefale të arrijë të zerë përsëri vendin që meriton në gjirin e shoqërisë shqiptare dhe të kryejë, si në të kaluarën, rolin e saj fetar – kombëtar.
Pasdite, delegacioni ynë shkoi në ishullin e bukur turistik të Halkit (Hejbeli), ku mbi një kodër, në qendër të tij, ndodhet manastiri i hirshëm i Shën Triadhës dhe Instituti i Lartë Teologjik. Shtojmë se nga ky Institut, i cili vitin e kaluar kremtoi 150-vjetorin e ngritjes, kanë dalë edhe shumë teologë me origjinë shqiptare, midis të cilëve përmendim Kryepiskopin e parë kanonik të Kishës sonë, të ndjerin Kristofor Kisin.
Shërbesa e Mbrëmjes, që u krye me të arritur në manastir, në Kishën e vogël, por të bukur, u kryesua nga Fortlumturia e Tij Anastasi. Në këtë shërbesë, bashkë me priftin e dhiakun e manastirit, morën pjesë duke meshuar në shqip edhe Protopapa At Jani Trebicka e dhiakon Sotir Xhaferi.
E dielë 23 korrik. Shërbesa e Mëngjesit u kryesua po nga Kryepiskopi Anastas, me pjesëmarrjen e At Jani Trebickës e të dhiakonit Sotir Xhaferi. Në kohën e Dhoksologjisë u vendosën në qendër të Kishës dy frone dhe nga tre frone anash. Do të meshonin bashkarisht Tërëshenjtëria e Tij fort e Hyjshme, Patriku Ekumenik Vartholomeu dhe Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, me pjesëmarrjen dhe të gjashtë mitropolitëve, anëtarë të Sinodhit të hirshëm patriarkal. Çast me të vërtetë solemn dhe prekës për nderin dhe respektin që tregohej për Kishën tonë Orthodhokse Autoqefale.
Me të mbaruar së psalluri Dhoksologjia, u hap Dera e Bukur e Hierores dhe që andej zunë vend në të dy fronet e mesit, Patriku Ekumenik Vartholomeu dhe Fortlumturia e Tij Anastasi, kurse në fronet anash, Mitropolitët e tjerë, sipas shkallës së tyre arkieratike. Në Liturgjinë Hyjnore, e cila, në gjuhën kishtare quhet “siliturgon”, domethënë bashkëmeshim, morën pjesë dhe At Joan Trebicka e dhiakoni Sotir Xhaferi.
Liturgjia Hyjnore u krye sipas rregullit të Tipikosë së Kishës së Madhe të Konstandinopojës. Pjesët e Liturgjisë që i takonin Kryepiskopit Anastas, At Janit dhe dhiakon Sotirit, u thanë në gjuhën shqipe. Shqip u tha edhe lutja e Zotit “Ati ynë…”, prej z. Dhimitër Beduli.
Pas Kungimit të Hyjshëm, u mbajtën fjalimet e rastit dhe u shkëmbyen dhurata. Tërëshenjtëria e Tij fort e Hyjshme Vartholomeu i dhuroi Fortlumturisë së Tij Anastasit dy Engolpione dhe Kryqin e nderuar, simbole të detyrës së lartë të Kryepiskopit, kurse Fortlumturia e Tij Anastasi i dhuroi Tërëshenjtërisë së Tij të Hyjshme Vartholomeu një ikonë të Iisu Krishtit, vepër e një piktori të sotëm shqiptar. Dhurata simbolike përkujtimore u këmbyen edhe midis kuadrit tjetër të Patrikanës Ekumenike dhe anëtarëve të delegacionit.
Pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore, u krye prej vetë Patrikut Ekumenik dhe një Liturgji tjetër e veçantë hirotësie: dhënia e ofiqit të lartë kishtar “Arhont mësues i Ungjillit”, me propozim të Fortlumturisë së Tij Anastasit, anëtarit të delegacionit të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale, z. Dhimitër Beduli, për kontributin e tij të gjatë kulturor-arsimor në dobi të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Ndërkaq, në sallën e madhe të Institutit Teologjik të Halkit u organizua një pritje me klerin e besimtarët që morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore, midis të cilëve kishte dhe mjaft shqiptarë me banim të përhershëm në Stamboll. Kryepiskopi Anastas u foli me këtë rast të pranishmëve të nderuar për përparimet që ka bërë Shqipëria në të gjitha drejtimet, për punën e madhe që është bërë deri tani lidhur me ringritjen dhe riorganizimin e Kishës sonë, si dhe për tolerancën dhe frymën tradicionale të bashkëpunimit që ekziston midis komuniteteve tona fetare.
Pas pritjes, të gjithë morën pjesë në “tryezën e dashurisë”, siç e karakterizoi në fjalimin e tij Patriku, duke theksuar se ajo tryezë konsiderohej, si në kohën Apostolike, vazhdim i Liturgjisë Hyjnore dhe shprehu sërish gëzimin e Tij për pjesëmarrjen në këtë tyrezë të përbashkët edhe të delegacionit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Fortlumturia e Tij Anastasi, shprehu gjithashtu falenderimet dhe mirënjohjen e thellë të Kishës Orthodhokse Autoqefale motër ndaj Kishës së Shenjtë e të Madhe të Konstandinopojës, për pritjen e ngrohtë dhe dashurinë që i rezervoi delegacionit të Kishës sonë. Tërë dita e dielë kaloi në Halki, në një atmosferë gëzimi dhe kënaqësie shpirtërore të thellë, së bashku me Tërëshenjtërinë e Tij Vartholomeu dhe anëtarët e tjerë të Sinodhit.
E hënë 24 korrik. Që në mëngjes, delegacioni ynë, me një anije të vogël, kaloi Marmaranë, në anën aziatike, për të vizituar qytetin e Nikeas (Iz Nice), me të cilin lidhen dy nga ngjarjet më të rëndësishme të Orthodhoksisë. Siç dihet nga historia e Kishës, në Nike u mblodh më 325 pas Krishtit Sinodhi i parë Ekumenik, i cili dënoi herezinë ariane dhe hartoi të shtatë artikujt e parë të Simbolit të Besimit dhe më 787 pas Krishtit u mblodh Sinodhi i Shtatë Ekumenik, i cili dënoi luftën kundër ikonave dhe formuloi në mënyrë të drejtë nderimin e tyre.
Në Nike delegacioni ynë vizitoi Kishën, sot muze, e cila që më 1333 qe transformuar në xhami, por ruante karakteristikat kryesore të Kishës dhe tha simbolin e besimit edhe troparin: “Ikonës sate të pacënuar…” Pas Kishës, u vizitua edhe muzeu i qytetit.
Vizita u mbyll me një darkë në një nga sallat e hotelit “Conrad” të Stambollit, dhënë prej Patrikanës Ekumenike për nder të delegacionit të Kishës sonë. Morën pjesë Tërëshenjtëria e Tij fort e hyjshme, Patriku Ekumenik Vartholomeu, Mitropoliti i Kalkidonës Joakimi, dhe i Derkonit Kostandini, Kryehirësia e Tij Augustini etj. Midis Tërëshenjtërisë së Tij Vartholomeut dhe Fortlumturisë së Tij Anastasit u këmbyen fjalime lamtumire.
Të martën, delegacioni i Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale, i përcjellë në aerodrom nga Mitropoliti i Pergjit, Kryehirësia e Tij Evangjellos dhe Mitropoliti i Trianit, Kryehirësia e Tij Filipi, mori rrugën e kthimit për në Shqipëri.
B.