EmailFacebookKontakt

“Behimi i apostujve Petro dhe Pavli na shoqëroftë të gjithëve, gjithmonë”

Durrës

“Behimi i apostujve Petro dhe Pavli na shoqëroftë të gjithëve, gjithmonë”

Të enjten, 29 qershor, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Fortlumturia e Tij Anastas, kremtoi ditën e Apostujve të Shenjtë protokorifej Petro dhe Pavli me besimtarët e Durrësit. Kisha e shenjtë “Shën Gjergji”, me pamje krejtësisht të përtërirë si rrjedhojë e rikonstruksionit që i bëhet nën kujdesin e drejtpërdrejtë të vet Kryepiskopit Anastas, megjithëse ditë jave ishte mbushur si rrallëherë për këtë të kremte ndër më të mëdhatë e Orthodhoksisë.

E kremtja e Apostujve të Shenjtë Petro dhe Pavli, siç theksoi Fortlumturia e Tij Anastas në predikimin e mbajtur, është i një rëndësie të veçantë për qytetin e Durrësit, i cili ka qënë nga Episkopatat e para të krishtera, tregues ky se Ungjilli i Krishtit është përhapur këtu që në kohët apostolike.

Duke folur për cilësitë dalluese të apostujve të mëdhenj, si jeta me një ndjenjë të thellë pendimi, dashuria me gjithë shpirt për Krishtin, jo vetëm pranimi por përpjekja për përhapjen e Ungjillit të Krishtit, predispozicioni vetsakrifikues dhe i guximshëm për të dhënë gjithçka për Krishtin, cilësi që përbejnë thelbin e frymës së tyre, Kryepiskopi uroi që të jenë edhe elementet thelbësorë përbërës të frymës së çdo besimtari. Përsa i përket martirizimit, i cili qe fundi i përbashkët në Romë i të dy apostujve, vazhdoi ai, nuk mendoj se Perëndia do na vlerësojë të denjë për një sakrificë kaq të madhe, por vështirësitë e natyrave të ndryshme, të mëdha dhe të vogla që na dalin, duhet t’i përballojmë me predispozicion analog dhe frymë lavdërimi të Perëndisë. Bekimi i Apostujve të Shenjtë na shoqëroftë të gjithëve, gjithmonë, – përfundoi Fortlumturia e Tij Anastasi.

Gjatë Liturgjisë Hyjnore nga Kryepiskopi Anastas u krye edhe hirotonia në dhjak e Gjerasim Çakallit.

Pas mbarimit të pjesës liturgjikale të së kremtes programi kishte rezervuar çaste me të vërtetë të rralla për nga mbresat e lëna. Me të hyrë në ambjentet e Përkujdesjes së Fëmijëve të hapur nga Kisha Orthodhokse në Durrës, Kryepiskopi rrethohet nga fëmijë që vërshojnë nga të katër anët me buqeta lulesh. Psallmet, këngët, recitimet dhe vallja e hareshme e të vegjëlve krijuan çaste gëzimi të papërsëritshme. Për kujdesin e treguar për ta, lavdëruan nga zemra e tyre e dlirë Perëndinë, Zotin Iisu Krisht dhe falenderuan Kryepiskopin Anastas, i cili i përqafoi dhe i bekoi të gjithë me radhë, që të bëhen fëmijë të mbarë, të dashur, të sjellshëm, të lumtur dhe të gëzuar, qytetarë të denjë dhe krijues të vendit, siç i do Perëndia dhe prindërit. Ndërkohë që fëmijët fillojnë të këndojnë “Krishti u ngjall!” me ta bashkohen edhe prindërit e tyre, në dëshmi e Ngjalljes së gjithanshme që përjeton Kisha jonë.

*Të dielën 2 korrik, në Liturgjinë Hyjnore në Kishën Katedrale të Tiranës, Kryepiskopi Anastas hirotonisi në dhjak Jani Rranxhën, i cili është kleriku i 65-ë që hirotoniset nga Fortlumturia e Tij Anastas gjatë katër viteve të jetës së ngjallur të Kishës.

Korresp. i “Ngjallja”