EmailFacebookKontakt

Kryepiskopi Anastas viziton të burgosurit shqiptarë

Athinë

Kryepiskopi Anastas viziton të burgosurit shqiptarë

“Edhe kur të pamë të sëmurë a në burg edhe erdhëm tek ti?… Edhe mbreti (Krishti) do të përgjigjet e do t’u thotë atyre: Me të vërtetë po u them juve, sado që i bëtë njerit nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë mua”. (Matth.25:40)

Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Fortlumturia e tij Anastas vizitoi, të premten, 9 qershor, burgjet e Koridallosit në Athinë dhe u takua me shtetasit shqiptarë të mbajtur në to (gjithsej 150).

Kryepiskopi i shoqëruar nga përgjegjësit e kujdesit social për të burgosurit pa nga afër ambjentet e ndryshme dhe kushtet në to. Kërkoi dhe u informua prej tyre për probleme të ndryshme individuale dhe të përgjithshme.

Gjatë kësaj vizite Kryepiskopi Anastas u takua me të gjithë të burgosurit si në burgun e të rriturve, ashtu edhe në ato të të miturve dhe të grave. Në bisedat që zhvilloi me të burgosurit në të tri burgjet Kryepiskopit iu shtruan shqetësime të ndryshme, kryesisht të lidhura me familjet e tyre. Kryepiskopi duke ofruar mbështetjen për çështje brenda mundësive të tij, u foli të burgosurve për dashurinë e Perëndisë, dashuri e cila ndryshe nga dashuria e njerëzve, nuk harron njeri, nuk harron asnjëherë. Për këtë arsye, theksoi Kryepiskopi, te Perëndia duhet të mbështesim shpresën tonë, shpresë e cila nuk duhet të mungojë për asnjë moment nga zemra.

Krahas dhuratave simbolike individuale që u shpërndau të burgosurve, Kryepiskopi dha në bibliotekën e burgut botime të ndryshme fetare në gjuhën shqipe, të cilat do të jenë në dispozicion të burgosurve që dëshirojnë.

Duke u larguar Kryepiskopi iu lut autoriteteve të burgut që t’a mbajnë në korrent me çështje të ndryshme ku KOASH ka mundësitë t’u vijë në ndihmë shtetasve shqiptarë.

Korresp. i “Ngjalljes”

Shënim: Kryepiskopi Anastas, konsekuent në bindjet e Tij kristiane për respekt të thellë të çdo figure njerëzore pavarësisht nga çfarë beson ose nëse beson, gjë që reflektohet në çdo aktivitet social dhe humanitar si nga vet ai personalisht ashtu edhe nga Kisha, takoi të gjithë të burgosurit pa dallime përkatësie fetare.

Ndërsa gazeta “Republika” sërish nuk hezitoi të botojë artikullin e M.B., i cili shpif në mënyrë të paskrupullt dhe spekullon për qëllime të mbrampshta edhe me akte të tilla humanitare, ndërkohë që si gjithmonë nuk boton përgënjeshtrimin e bërë nga ana jonë.