Vatikan
Vizitë historike e Patrikut Ekumenik Varthollomeu I në Romë
Patriku Ekumenik Varthollomeu I u takua me Papa Gjon Palin II në Vatikan gjatë vizitës së tij historike ditën e Apostujve të shenjtë Petro dhe Pavli më 29 korrik. Udhëheqësi shpirtëror i mbi 250 milionë të krishterëve orthodhoksë të botës firmosi një deklaratë të përbashkët me udhëheqësin Romanokatolik duke premtuar se Kishat e tyre do të përpiqen për unitet më të madh me afrimin e vitit 2000. Deklarata theksonte se marrëdhëniet e përmirësuara midis të Krishterëve Romanokatolikë dhe Orthodhoksë të botës do të ndihmojë çështjen e paqes në botë dhe drejtuan gjithashtu thirrje për mbrojtjen e mjedisit dhe për integrimin e vendeve të Europës Lindore në Bashkimin Evropian. “Ne besojmë se një kooperim më i koordinuar dhe më aktiv do të lehtësojë gjithashtu ndikimin e Kishës në paqen dhe drejtësinë në zonat e konfliktit politik dhe etnik” – theksonte deklarata e cituar nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.
Kjo deklaratë u firmos pas celebrimit të një meshe solemne katolike të drejtuar nga Papa në bazilikën e shën Petros në prani të Patrikut Orthodhoks.
Patriku Ekumenik Varthollomeu është i treti udhëheqës orthodhoks që takon Papën në Romë qëkur Skizma e Madhe ndau Krishtërimin më 1054.
Deklarata nxit “çdo njeri që me kujdesin më të madh, të adresojë problemin bashkëkohor ekologjik kritik për të evituar rrezikun serioz (…) të përdorimit pervers të burimeve që janë dhurata të Perëndisë”, dhe shtonte “Ne lutemi gjithashtu për realizimin e plotë, pa vonesë, të Bashkimit Evropian, me shpresën se kufijtë e tij do të zgjerohen drejt Lindjes”.
Ndarja orthodhokso-katolike u vulos me mallkime të ndërsjellta në 1054 pas një sërë mosmarrveshjesh në çështje teologjike thelbësore midis Papës së Romës dhe katër qendrave të tjera të mëdha kristiane të Lindjes, Patrikana e Konstandinopojës, e Jerusalemit, e Aleksandrisë dhe Antiokisë. Kishat Orthodhokse dhe Romanokatolike shvlerësuan reciprokisht mallkimet më 1971, shtatë vjet pas përqafimit të Patrikut Ekumenik Athenagoras dhe Papa Palit VI në Malin e Ullinjve në Jerusalem.
Në përshëndetjen e tij drejtuar njerëzve të mbledhur në Bazilikë, Patriku Varthollomeu tha se ka ardhur koha për të mbyllur kapitullin “e shumë trishtimeve dhe po aq poshtërimeve” dhe cilësoi ndarjet midis të Krishterëve “si një nga bishat” që mundojnë njerëzimin. Papa tha se fillimi i mijëvjeçarit të tretë të Krishtërimit në vitin 2000 paraqet “një sfidë të madhe” për njerëzimin dhe në veçanti për të Krishterët. “Prandaj, nuk mund të mbetemi të ndarë,” tha Papa. Në një akt të lartë simbolik të etjes për bashkim të dy udhëheqësit u lutën bashkarisht në varrin e Shën Petros.
Si Papa ashtu edhe Patriku prekën problemin e primatit papal. Patriku Varthollomeu tha se duhet të konsiderohet “primat jo midis njerëzve, por midis shërbimeve të diakonisë”.
Patriku Varthollomeu theksoi gjithashtu dëshirën për të sjellë Kishat më afër, por theksoi nevojën e diversitetit dhe të reflektimit serioz mbi rrenjët e mosmarrëveshjes fetare. “Duhet t’i shpallim gjithë botës së sotme të krishterë bindjen tonë për domosdoshmërinë e kontrollit të vetes dhe rrëfimit (…) për unitet të vërtetë,” shtoi ai.
Pas Meshës, të dy udhëheqësit e Krishterë dolën në ballkonin e sheshit shën Petro dhe bekuan mijërat e lutësve të mbledhur për përshëndetjen tradicionale të Papës “urbi et orbi”. Të dy udhëheqësit lexuan simbolin origjinal të besimit në greqisht (Simboli i Niqeas siç e përdorte Kisha kur qe e bashkuar dhe vazhdon ta përdorë Kisha Orthodhokse, pa ndryshimet që ka bërë Kisha Katolike pas ndarjes sh.p) që është simboli themeltar i besimit të Krishterë Apostolik, ngjarje kjo historike dhe e paprecedent tregues i dëshirës së zjarrtë për unitet më të thellë. Patriku Ekumenik i cili është “i pari midis të barabartëve” në botën e Krishterë Orthodhokse vizitoi më 30 qershor komunitetin orthodhoks të Venecias dhe kreu Liturgjinë Hyjnore në Katedralen Orthodhokse “Shën Gjergji”. Patriku Varthollomeu është Episkopi i 273-të i Konstandinopojës i zgjedhur në vitin 1991.
Gjatë udhëheqjes së tij janë ndërmarrë veprime vendimtare në promotimin e bashkimit të krishterë të bazuar në mirëkuptimin e ndërsjelltë dhe dialogun teologjik.
Marrë nga “SOP”-i