EmailFacebookKontakt

Ç’janë Sinodet Ekumenikë?

Nga historia e Kishës sonë të Shenjtë Orthodhokse

Ç’janë Sinodet Ekumenikë?

Janë mbledhje të Etërve të Shenjtë e teologëve të ditur nga tërë bota e krishterë, ku analizohen çështjet e fesë e të jetës së Kishës. Në to Etërit e Shenjtë, Episkopët e Kishës, kanë mbrojtur fenë orthodhokse nga mashtrimet heretike e mësimet e gënjeshtërta.

Kur iu dha fund ndjekjes nga jashtë të Kishës, atëherë u shfaqën armiq të brendshëm të fesë, mësuesit e rremë (të quajtur heretikë), të cilët u përpoqën që ta shkatërrojnë Kishën e vetme, të Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike dhe tërësinë e së vërtetës së saj. Të tillë njerëz Kisha i dënoi në Sinodet Ekumenike. Krahas këtyre Sinodeve Ekumenike, mbaheshin edhe Sinode krahinore, që thirreshin nga Kisha të veçanta. Shumë vendime të këtyre Sinodeve më vonë janë njohur nga Sinodet Ekumenike si të vlefshme për tërë Kishën. Sinodet Ekumenike kanë qenë e mbeten pushteti më i lartë i Kishës Orthodhokse.

Cili është Sinodi i parë në historinë e Kishës?

Sinodi i Parë është thirrur që në kohërat Apostolike, në qytetin e Shenjtë të Jerusalemit (në vitin 51). Ai quhet Sinodi Apostolik. Në këtë kuvend, të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, Apostujt morën vendim që rrethprerja nuk qe e detyrueshme për ata që kishin besuar në shumë perëndi e që vinin për t’u pagëzuar. Prej tyre kërkohej që të ruheshin vetëm nga flijimet kushtuar idhujve, të ruheshin nga mashtrimi, të mos hanin mishin e kafshëve të ngordhura e të mos pinin gjakun e tyre.

Vendimi i Sinodit Apostolik fillon me fjalën: “Urdhëro, Shpirt i Shenjtë, tek ne…!”. Kjo do të thotë se Kisha është e pagabueshme vetëm atëherë kur është besnike e Shpirtit të Shenjtë dhe kur vendimet e veta i merr kolegjialisht.

Sa Sinode Ekumenike janë mbajtur dhe çfarë vendimesh kanë marrë?

Sinode Ekumenikë janë bërë shtatë, kurse krahinorë shumë më tepër dhe këto gjer në kohët më të reja (Vendimet e disa Sinodeve Krahinore, si të hershmet edhe të rejat, kanë rëndësi botërore, për vetë arsyen se e tërë Kisha Orthodhokse i ka përqafuar si të vetat).

Në Sinodin e parë e të dytë Ekumenik, të mbajtur në Nike (në vitin 325) dhe Konstandinopojë (në vitin 381), Etërit e Shenjtë, duke luftuar kundër heretikut Arijas dhe kundërshtarëve të Shpirtit të Shenjtë, kanë formuluar në mënyrë të përmbledhur pohimin fetar, të quajtur Simboli i Besimit, të cilin edhe sot e lexojmë dhe e këndojmë në çdo Liturgji të Shenjtë.

Në Sinodin e tretë Ekumenik (në vitin 431, në Efes) Etërit e Shenjtë kanë dëshmuar se Virgjëresha e dëlirë Mari është me të vërtetë Hyjlindëse, sepse Zotin e lindi me trup njeriu. Ata bashkarisht me Apostujt e Shenjtë dhe gjithë Shenjtorët pohojnë një dhe të vetëm, Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetmin të lindur nga Ati para gjithë shekujve, por në kohë, prej Shpirtit të Shenjtë dhe Hyjlindëses, Virgjëreshës Shën Mari.

Në Sinodhet Ekumenike të katërt (më 451), të pestë (më 553) dhe të gjashtë (në vitin 680) Etërit e Shenjtëruar e mbrojtën Kishën nga rrymat e monofizitëve dhe monotelitëve dhe vërtetuan të njëjtën gjë, si edhe Sinodet e mëparshëm: që Hyjnjeriu është Perëndi i përsosur dhe Njeri i përsosur, me dy natyra, hyjnore dhe njerëzore. Ajo shihet në Kopshtin Getsimani, ku Krishti i përgjëruar lutet: “At, po të jetë e mundur, t’i shmangem kësaj Kupe…”; këtu është shprehur edhe vullneti njerëzor tek Krishti, sepse me vullnetin e vet njeriu nuk dëshiron të vdesë.

Sinodi i Shtatë Ekumenik (vitit 787) pohoi të njëjtën të vërtetë mbi Zotin Krisht dhe shëmbëlltyrën e tij njerëzore, por, kësaj rradhe, përmes mbrojtjes së respektimit të ikonave të shenjta: në fillim të ikonave kushtuar Atit e pastaj të ikonave të tjera: Shën Marisë, Engjëjve dhe të gjithë Shenjtorëve. Kundërshtarët e ikonave kanë këmbëngulur se nderimi për ikonat është kthim tek adhurimi ndaj idhujve, mirëpo Etërit e Shenjtë kanë shpjeguar dhe dëshmuar se të krishterët nuk i falen drurit mbi të cilin janë pikturuar ikonat, as ngjyrave që janë përdorur. Ata, nëpërmjet ikonave, shprehin nderimin dhe dashurinë e tyre ndaj shëmbëlltyrës së parë, ndaj Atij, që është pikturuar tek ato.

Ikonat janë Ungjij me ngjyra, shkenca e fesë për sytë. Prej tyre ndriçohet syri i njeriut dhe zbulohet Bukuria e Fytyrës së Perëndisë. Ato janë dëshmi se Perëndia është bërë njeri, që njeriu të mund të mbrohej nga djalli, mëkati dhe vdekja e më në fund të hyjnizohej dhe kjo është më e rëndësishme. Duke i nderuar dhe puthur ikonat e shenjta, ne nderojmë nëpërmjet tyre Krishtin dhe Shenjtorët me të cilët jeton Perëndia. Kështu, tek ikonat ne shohim sa “I mrekullueshëm është Perëndia mes Shenjtorëve të Tij”.

Ikonat janë flamujt e Kishës Orthodhokse, shenjë e njohjes midis të gjitha besimeve dhe të krishterëve joorthodhoksë. Prandaj, ata që nuk respektojnë Ikonat e Shenjta, tregojnë se nuk e njohin shpirtin e Librit të Shenjtë dhe se fshehurazi apo hapur nuk e besojnë se Perëndia është bërë njeri.

Por, nuk duhet lejuar të pikturohen dosido: Ato duhen pikturuar në frymën e Ungjillit dhe në përputhje me përvojën shumëshekullore të piktorëve të ikonave të shenjta të Kishës Orthodhokse (të vërtetuar dhe kultivuar në Bizantin Orthodhoks) etj.

A janë mbajtur Sinode të tjerë Ekumenikë?

Të shumtë janë dhe jo pa arsye, që pranojnë si Sinod Ekumenik atë të mbajtur në Kostandinopojë (gjatë kohës së Shën Fotit, Patrikut të Kostandinopojës, viti 867), në të cilin janë dënuar mësimet shtesë të Perëndimit, që ishin futur në Simbol të fesë, se Shpirti i Shenjtë buron nga “Ati dhe Biri” (Filiokva). Kjo shtesë më vonë u bë një nga shkaqet kryesore që Kisha Katolike e Romës të ndahet nga Kisha e vetme e Shenjtë, e Përgjithshme, Apostolike dhe Orthodhokse.

Me karakter Ekumenik janë edhe vendimet e Sinodit Isihastik, të mbajtur gjithashtu në Kostandinopojë (në vitin 1351). Në atë Sinod është marrë në mbrojtje doktrina e Shenjtë frymëzuese mbi përjetësinë e dritës së Tavorit, dome-hënë mbi energjitë hyjnore të përjetshme, në të cilat Trinia e Shenjtë është me të vërtetë e pranishme në historinë e botës dhe të njeriut. Duke mbrojtur fenë e vërtetë nga heretikët e Varlaamit dhe duke dëshmuar vërtetësinë e dallimeve midis qenies hyjnore dhe energjisë hyjnore, Etërit e këtij Sinodi, me Shën Grigor Pallaman në krye, mbrojtën të gjithë zbulesën dhe përvojën e drejtë shekullore të Kishës, si dhe mundësinë reale të marrëdhënieve midis Perëndisë e njeriut. Nëpërmjet kësaj ata mbrojtën të vetmen shpresë për njeriun dhe mundësinë e rritjes së tij pa fund të saj, të bekimit të përjetshëm e të pashfaqur të Perëndisë. Vendimet e këtij Sinodi të japin përshtypjen se janë kulmi i të gjitha Sinodeve Ekumenike e Krahinore të deriatëhershme. Ato zbulojnë qartë themelet dhe horizontet e përjetshme të botës së krijuar, e padukshme në Kishë, si një punishte shpëtimtare dhe frymëzuese e Hyjnjeriut të transformuar në Tavor.

Përktheu Nikolla Sudari
Shkëputur nga libri “S’ka më të bukur fe se ajo e krishterë”