Pse vdesin njerëzit? Çfarë ndodh kur dikush vdes? Çfarë ndodh me shpirtin pas vdekjes? Pse iu lutemi të vdekurve dhe pse lutemi për ta?… Çështja e vdekjes është shpeshherë një temë interesante dhe e ndërlikuar për shumë njerëz. Vdekja është e panjohura e madhe, një mister që shkakton frikë dhe ankth.
Megjithatë, Iisu Krishti dhe Kisha e Tij u japin këtyre pyetjeve dhe vetë frikës nga vdekja, një përgjigje qetësuese. Nëpërmjet jetës, vdekjes dhe Ngjalljes së Krishtit, Birit të Perëndisë, vdekja u shkatërrua dhe fuqia e varrit u mposht. Iisui tha: “Unë jam Ngjallja dhe Jeta; ai që beson te unë, edhe nëse vdes, do të jetojë. Edhe kushdo që jeton e beson te unë, nuk do të vdesë për gjithë jetën.” (Joan 11:25). Apostull Pavli e riafirmoi këtë kur shkroi: “U përpi vdekja nga fitorja. Ku është, o vdekje, thumbi yt? Ku është, o varr, fitorja jote? Edhe thumbi i vdekjes është mëkati; dhe fuqia e mëkatit është ligji. Por le të falenderojmë Perëndinë që na dha fitoren me anë të Zotit tonë Iisu Krisht.” (IKor. 15:54-57).
Mesazh qendror i besimit Orthodhoks është se vdekja s’është fundi i ekzistencës sonë, po vetëm një hyrje në një jetë të përjetshme, jetuar në praninë e Perëndisë. Kështu që, nëse besojmë, nëse ia kushtojmë jetën tonë Krishtit, nëse gjithë shpresën dhe besimin tonë e mbështesim tek Ai, atëherë vdekja s’është për t’i pasur frikë. Ajo shihet si një hap në udhëtimin tonë të përjetshëm drejt Perëndisë. Apostulli Pavli e përshkruan këtë shumë bukur: “Sepse tek unë të jetuarit është Krishti, edhe të vdekurit, fitim. Shtrëngohem prej të dyjave; sepse nga njëra anë kam dëshirë të iki dhe të jem bashkë me Krishtin, sepse kështu është shumë më mirë: Po nga ana tjetër, të qëndruarit tim në mish është më i nevojshëm për ju.” (Filip.1:21,23-24).
Shën Joan Gojarti përmblodhi kështu qëndrimin e krishterë ndaj vdekjes: “Kur i vdes një i dashur, jobesimtari shikon një kufomë, ndërsa i krishteri shikon një trup të Qetur. Jobesimtari thotë se i vdekuri “shkoi”. Ne biem dakord, por kujtojmë se ku ka vajtur ai. Ka shkuar atje ku është Apostull Pavli, atje ku është Apostull Petro, atje ku është e gjithë shoqëria e shenjtorëve. Ne kujtojmë që ai do të ngjallet, jo me lot frike, por me madhështi e lavdi.”
Pse vdesin njerëzit?
Së pari, duhet të kuptojmë se Perëndia e krijoi burrin e gruan për jetë dhe jo për vdekje. Megjithatë, jeta jonë si krijesa të Perëndisë ishte e varur nga komunikimi ynë me Atë në dashuri dhe bindje. Kur burri dhe gruaja e parë mëkatuan, vdekja erdhi në botë (Gjeneza 3). Shën Pavli na mëson shumë qartë: “paga e mëkatit është vdekja” (Romakëve 6:23). Me mosbindjen e Adamit dhe Evës “mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, edhe ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan” (Rom. 5:12). Megjithatë, ne nuk kemi një Perëndi të padrejtë. Ashtu si vdekja hyri në botë me anë të një personi, Adamit, po kështu ne predikojmë se jeta e përjetëshme hyri në botë me anë të një personi, Iisu Krishtit! Këtu është shpresa që i jep kuptim vetë vdekjes.
Çfarë ndodh kur dikush vdes? Çfarë ndodh me shpirtin pas vdekjes?
Vdekja fizike është ndarja e shpirtit dhe trupit. Kur vdesim, fillojmë menjëherë të përjetojmë një parashijim të parajsës ose ferrit. Kjo do të thotë se kur vdesim shpirtrat tanë ose janë në komunikim me Perëndinë ose jo. Në teologjinë e Kishës ky përjetim parashijues njihet si Gjykim i pjesshëm. Gjykimi ynë i pjesshëm do të bazohet tek besimi ynë, karakteri ynë, sjellja jonë dhe komunikimi ynë me Perëndinë gjatë jetës sonë. Gjatë kësaj periudhe të gjykimit të pjesshëm, shpirtrat tanë do të jenë shumë të gatshëm dhe në dijeni të atyre që ndodhin, si në parajsë ashtu edhe në ferr. Paravolia e të pasurit dhe Llazarit (Lluka 16:19-31) na paraqet një bashkëbisedim të gjallë në Parajsë midis Avraahamit dhe të pasurit të vdekur, shpirti i të cilit është në Hades. Lexoni këtë pasazh në Dhjatën e Re, që t’ju ndihmojë të kuptoni se shpirtrat nuk janë në gjumë pas vdekjes.
Gjykimi ynë përfundimtar do të vijë në një kohë të panjohur në të ardhmen, kur Iisu Krishti do të vijë për herë të dytë me lavdi mbi tokë. Ky gjykim përfundimtar njihet si Gjykimi i përgjithshëm, ku të gjithë, të gjallë dhe të vdekur, do të vijnë përpara Iisuit dhe do të fillojnë të jetojnë përjetësisht në Parajsë, në shoqëri me Perëndinë, ose përjetësisht në ferr, jashtë shoqërisë së Perëndisë. Siç e përshkruan episkopi Kalistos Ware: “Ky gjykim kuptohet si momenti i së vërtetës, kur çdo gjë do të sillet në dritë, kur të gjitha veprimet që zgjodhëm të bëjmë do të qëndrojnë të zbuluara përpara nesh me të gjitha pasojat e tyre. Kur ne kuptojmë me qartësi se kush jemi dhe se cili ka qenë qëllimi dhe kuptimi i thellë i jetës sonë. Dhe kështu, duke ndjekur këtë qartësim përfundimtar, ne do të hyjmë me trup dhe shpirt të ribashkuar në parajsë ose në ferr, në jetën e përjetëshme ose në vdekjen e përjetëshme.”
Sinodi i Konstandinopojës (viti 1672), ndihmoi shpjegimin e ndryshimit midis gjykimit të pjesshëm e atij përfundimtar. “Ne besojmë se menjëherë pas ndarjes së trupit me shpirtin (vdekja), shpirtrave u komunikohet ose për lumturi, ose për vuajtje e dëshpërim. Megjithatë, ne pohojmë se as gëzimi, as dënimi nuk janë ende të plotë. Pas Ngjalljes së Përgjithshme, kur shpirti bashkohet me trupin, çdo njeri do të marrë masën e plotë të gëzimit apo të dënimit, që i takon për rrugën në të cilën drejtoi veten, qoftë për mirë apo për keq.”
Pse lutemi për të vdekurit?
Krishtërimi është, së pari, e mbi të gjitha, fe e dashurisë. Lutja për të vdekurit është një shprehje dashurie. Vdekja nuk është diçka që na ndan. Prandaj, siç lutemi për të dashurit tanë gjatë jetës, ne vazhdojmë të lutemi edhe kur ata janë të vdekur. Vdekja nuk mund të ndajë familjen e besimtarëve. Në dhe ose në qiell, Kisha është një familje e vetme, një trup më Krishtin dhe vdekja nuk mund të zgjidhë këtë lidhje dashurie të ndërsjelltë. Sigurisht, gjithë komunikimi ynë me të vdekurit ndodh më Iisu Krishtin. Që kur Ai e mposhti vdekjen dhe vazhdon të jetojë përtej varrit, lutjet tona me të vdekurit ndodhin nëpërmjet tij. Asnjë komunikim tjetër me të vdekurit nuk është i lejueshëm për të krishterët. Lutjet tona jo vetëm që i ndihmojnë të fjeturit, por lutja për ta na ndihmon gjithashtu edhe ne. Nëpërmjet lutjeve ne ruajmë të gjallë kujtimin e të dashurve tanë, kujtojmë veten tonë, se edhe ne gjithashtu do të vdesim një ditë, forcojmë besimin tonë në jetën përtej dhe kuptojmë në një shkallë më të lartë mëshirën e madhe të Perëndisë.
Shumë njerëz pyesin nëse lutjet për të vdekurit mund të ndryshojnë gjendjen e një njeriu nga ferri në parajsë. Kisha nuk pretendon se lutjet për dikë që ka vdekur larg Perëndisë mund ta shpëtojnë nga ferri. Ne besojmë se shpëtimi i dikujt varet nga se si e jetoi jetën e tij mbi dhe. Ungjilli na mëson qartë se koha për pendim e bashkim me Perëndinë është kur jemi të gjallë mbi dhe e jo nëpërmjet lutjeve të njerëzve pasi vdesim (Luk 16:19-31). Ndaj Krishti, në mënyrë të përsëritur, u bëri thirrje njerëzve “pendohuni, sepse u afrua mbretëria e Qiejve”. Sigurisht, ne dimë që lutjet s’mund të dëmtojnë kurrë një njeri që ka vdekur, kështu që dashuria jonë na detyron të vazhdojmë të lutemi për ta. Misterin se si lutjet tona ndihmojnë njerëzit ia lëmë plotësisht Perëndisë.
Pse u lutemi të vdekurve, shenjtorëve?
Krahas lutjes për ata që kanë fjetur më Zotin, ne u lutemi gjithashtu, edhe burrave e grave të drejtë, shenjtorëve, duke u kërkuar lutjet dhe ndërmjetimet e tyre. Besimi ynë na mëson se duhet të lutemi për njëri-tjetrin, sepse lutjet e të drejtit marrin prej Atij atë për të cilën je lutur. Kush është më i drejtë se shenjtorët, që jetuan jetë të shenjta të përkushtuara Krishtit dhe që prehen në parajsë, duke jetuar në praninë e Tij. Ndaj, edhe pas vdekjes së tyre vazhdojmë t’u kërkojmë këtyre njerëzve të shenjtë, Shenjtëve, të ndërmjetojnë për ne. Meqenëse vdekja u mposht nga Krishti, pse nuk duhet ta vazhdojnë këta njerëz shërbimin ndaj nesh edhe pasi janë bashkuar me Krishtin? Ata jetojnë në praninë e Perëndisë, duke kënduar vazhdimisht lavdërimet e Tij. Kështu që kuptohet pse u kërkojmë këtyre vëllezërve dhe motrave t’i luten Zotit tonë Iisu Krisht të dërgojë hirin e Tij mbi ne që jemi ende duke luftuar me jetën tonë të përditshme këtu mbi dhe.
Kështu që me këtë kuptim mbi vdekjen, ne Orthodhoksët marrim guxim e fuqi. Vdekja s’është më misteri i madh i panjohur, por është thjesht një gur kalues për në udhëtimin tonë të përjetshëm me Trininë e Shenjtë. Le të themi të gjithë me Shën Joan Gojartin: “Ku është gjembi yt, o vdekje? Ku është mburrja jote o ferr? U Ngjall Krishti, dhe u përmbysën demonët. U Ngjall Krishti, dhe gëzohen engjëjt. U Ngjall Krishti, dhe jeta qytetërohet. U Ngjall Krishti, dhe asnjë i vdekur s’mbeti në varr. Se pas Krishtit u ngjallën të gjithë të vdekurit. E Atij është lavdia dhe fuqia, në jetë të jetëve. Amin.