EmailFacebookKontakt

Qante përditë me lot të hidhur…

Një i ri dëshiroi t’i kushtojë jetën e tij Perëndisë, duke ndjekur jetën eremite. Nëna e tij veç, nuk e linte dhe bënte çmos për ta penguar.

– Mëkaton ndaj Perëndisë duke më nxjerrë kaq pengesa në rrugën time, – i thoshte shpesh ai. Dua të iki, të shpëtoj shpirtin tim.

Përfundimisht, pas shumë përpjekjesh, arriti që të bindë të ëmën. Iku menjëherë në shkretëtirë, gjeti një kasolle dhe qëndroi aty vetëm për t’u bërë asket. Pas pak kohe vdiq edhe e ëma e tij e cila nuk kishte qenë aspak e krishtere e mirë.

Në fillim eremiti i ri shkonte mirë, përpiqej. Por me kalimin e kohës filloi të humbasë zellin e tij të parë. Iu rëndua vetmia, shpërfilli detyrat e tij që kishte si murg dhe në fund arriti deri aty sa të mos i kushtonte rëndësi shpëtimit të tij.

Dikur u sëmur rëndë dhe për pak sa nuk vdiq. Një vëlla (asket) që kujdesej për të nga dashuria e pa të drobitur t’i bie të fikët. Vet ai, siç tregonte më vonë, ndjeu shpirtin e tij të ndahet përdhunshëm nga trupi dhe të fundoset në humnerën e errët të Ferrit. Atje, midis të dënuarve të tjerë, gjeti të ëmën e vet. E pa edhe ajo fatkeqe dhe u shtang.

– Edhe ti, biri im, në këtë vend të mallkuar të dëshpërimit u dënove? – i tha ajo duke vajtuar. Ku janë pra fjalët që më thoshje, se do të shpëtosh shpirtin tënd? U bëre murg, por nuk e shpëtove.

Kaq shumë u turpërua murgu nga ajo vërejtje e drejtë, saqë nuk gjente fjalë për t’u justifikuar. Lutej në atë moment që të hapej më thellë Hades dhe ta përpinte, sesa të dëgjonte fjalët e nënës. Në këtë pozitë të vështirë që gjendej, iu duk se dëgjoi urdhërin:

– Merreni mprapsht. I jepet pak kohë të korrigjohet. Pas kësaj erdhi në vete. I tmerruar i rrëfeu vëllait të tij gjithë sa kishte parë dhe dëgjuar. Brenda pak ditësh u bë mirë nga sëmundja e tij, por edhe shpirtërisht rilindi. U mbyll në kasollen e tij dhe kujdesej me frikë edhe tmerr për shpëtimin e shpirtit të tij. Qante përditë me lot të hidhur i penduar thellë për pakujdesinë e tij të kaluar.

– Mos bëj kështu, vëlla, i thoshin Jerondët, do të sëmuresh përsëri nga trishtimi yt i madh.

– Kur nuk durova, Etër të mi, turpin nga nëna ime, u thoshte ai, si do të mundem të duroj turpërimin e madh që do të më bëjë Gjykatësi përpara Engjëjve, të Drejtëve dhe gjithë njerëzve në çastin e frikshëm kur do të më gjykojë?

Me këtë kujdes të tij eremiti dikur i pakujdesshëm, arriti në shenjtërim.

Nga libri “Jerondikon”