EmailFacebookKontakt

“Të fiksosh të kaluarën, të jetosh të tashmen dhe të garantosh të ardhmen”

Në fund të qershorit bëri një vizitë pune pranë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, një delegacion i Këshillit Botëror të Kishave, i përbërë nga Nicole Ficher Duchable nga Zvicra dhe Juhani Rasahen nga Finlanda.

Para se të largoheshin, i kërkuam disa përshtypje znj. Fisher Duchable:

– Që prej 3 vjetësh, Këshilli Botëror i Kishave ka hartuar një program pune për të kryer vizita në të gjitha vendet anëtare, në të gjithë botën. Eshtë hera e parë që KBK hidhet në një ndërmarrje kaq të guximshme e ambicioze, sepse, deri tani, disa kisha ishin tepër të vizituara e disa shumë rrallë. Janë bërë vizita në më shumë se 200 kisha. Janë marrë kontakte edhe me mbi 450 grupe e organizatash grash të krishtera, sepse ky program ka dy objektiva: Të takojë drejtuesit e Kishave; episkopët, priftërinjtë, sipas strukturave të tyre të veçanta. Dhe, së dyti, të takojë dhe dëgjojë gratë që bëjnë pjesë në to, rreth problemeve të tyre.

Ne patëm privilegjin të kishim një takim të gjatë me Kryepiskopin Anastas, i cili është një ekumenist i vendosur, gjë që nuk e ka deklaruar vetëm me fjalë, por e ka vërtetuar me jetën e veprën e Tij. – Ne takuam edhe grupe grash, këtu në Tiranë, si dhe në Korçë dhe konstatuan se në situatën unike që kaloi Kisha juaj, ato, siç ka ndodhur edhe në situata të tjera të ngjashme, kanë pasur një rol esencial dhe aktiv në ruajtjen e besimit, dhe sot luajnë një rol po aq aktiv në ringritjen e Kishës nga themelet.

Do të desha të theksoj se dëshmia e Ngjalljes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë është shumë prekëse dhe e fuqishme për ne dhe mendoj se ajo do të ecë shumë shpejt, në të gjitha drejtimet. Për këtë është e nevojshme që të vjetrit, veçanërisht priftërinjtë, t’ia kalojnë “sekretin” e tyre të besimit më të rinjve. Duhen rikonstruktuar arshivat e zhdukura, të mblidhen dëshmitë historike, gjithë kujtesa historike dhe tradita, veçanërisht tani që po formohen seminaristët e rinj, të cilët do të jenë priftërinjë e së ardhmes. Kjo kërkon angazhimin serioz të të gjithëve.

Do të na duhet ende kohë për të kuptuar gjithçka pamë, por, përmbledhtazi, do të doja të theksoja se e rëndësishme është që të fiksosh të kaluarën, të jetosh të tashmen dhe të garantosh të ardhmen.

– Faleminderit.

Gjithashtu, i kërkuam disa përshtypje edhe z. Rasahen:

– Vizituam Tiranën, Durrësin e Korçën, në të cilat zhvilluam takime me grupet lokale të grave orthodhokse, ku ato bënë një paraqitje të veprimtarive të ndryshme që zhvillojnë.

Gjithashtu vizituam në Durrës Manastirin ku po ndërtohet Shkolla Teologjike dhe në Tiranë Klinikën “Shën Lluka”.

Mendoj se Kisha juaj po bën një punë të vlefshme, si në drejtim të edukimit shpirtëror, por edhe të mbështetjes sociale, siç janë përkujdesjet ditore për fëmijët apo klinika, për të cilat ka nevojë vendi juaj.

Patëm kënaqësinë të takoheshim edhe me Kryepiskopin Anastas, i cili na njohu me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe perspektivat e saj.

Personalisht, shpresoj sinqerisht që Këshilli Botëror i Kishave të jetë në gjëndje të mbështesë Kishën tuaj Orthodhokse dhe marrëdhëniet bilaterale të zhvillohen më tej.

– Faleminderit.