EmailFacebookKontakt

“…njerëz të mirësisë, të drejtësisë, të së vërtetës”

Ndërsa mendon për mesazhin kryesor të këtij udhëtimi, shërbesave dhe takimeve gjatë tij, nuk mund të çlirohesh për asnjë çast nga dilema nëse zgjedhja jote është ajo që i afrohet më tepër. Çdo çast, shërbesë, takim apo fjalë ofron alternativën e vet, një kuadër mjaft të ngjeshur të mesazheve dhe mbresave, gjë që përbën dukuri të zakonshme të veprimtarive të kësaj natyre të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasit. Pikënisja e këtij udhëtimi ishte e diela e Pendikostisë, 11 qershor, – dita e kremtimit të Lindjes së Kishës së Krishtit, me zbritjen e Shpirtit të Shenjtë mbi Apostujt e mbledhur në Jerusalem, sipas porosisë së Krishtit.

Predikimi i Fortlumturisë së Tij, i mbajtur pas Liturgjisë Hyjnore në Kishën “Kryeengjëjt Mihail dhe Gavriil”, ishte i denjë i kësaj të kremteje. Ditën e Pendikostisë Apostujve të Krishtit, – theksoi Kryepiskopi, – u jepet porosia e re, predikimi i Ungjillit në të gjithë botën, në të gjitha gjuhët. Kjo është e kremtja e vëllazërimit të të gjithëve, e kremtja e dashurisë, paqes, mirëkuptimit dhe shpresës… Qëllimi i jetës së krishterë është fitimi i Shpirtit të Shenjtë, Ngushëllimtarit, shpirtit të së vërtetës, dashurisë dhe paqes, për t’u bërë përditë e më tepër njerëz të Shpirtit të Shenjtë, njerëz me më shumë dashuri, me më shumë gëzim, më shumë paqe, me më shumë zemërgjerësi, me më shumë mirësi, me më shumë besim, me më shumë përmbajtje; njerëz që do të rrezatojmë këtë frymë kudo që të ndodhemi.

Pas predikimit, u krye Mbrëmësorja e Pendikostisë, me lutjet e mrekullueshme që të zbresë Hiri i Shpirtit të Shenjtë në çdo njeri, në çdo popull; sense destinacioni i Kishës së Krishtit është shtrirja në të gjithë botën, përqafimi i gjithë popujve, ftesa gjithë njerëzve, që të lavdërojnë Perëndinë në të gjitha gjuhët.

Pas mbarimit të shërbesave, Kryepiskopi pa punimet restauruese që i janë bërë Kishës “Kryeengjëjt Mihail e Gavriil”, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Tij, si për sigurimin e fondeve, ashtu edhe për nivelin cilësor të tyre. Pamja e Kishës është e përtërirë; madhështia e shekujve është më imponuese. Mbetet ende për t’u bërë restaurimi i ikonave murale, i cili krahas fondeve të mëdha, kërkon, natyrisht, edhe punim shkencor të kualifikuar.

Të hënën e Shpirtit të Shenjtë, 12 qershor, Kryepiskopi Anastas kreu Liturgjinë Hyjnore në fshatin e largët Çiflig të Sarandës. Në Kishën “Shën Triadha”, u foli besimtarëve në predikimin e tij edhe për marrëzinë e atyreve që deshën në të kaluarën të vrisnin Perëndinë, por vranë njeriun, se njeriu nuk mund të jetojë pa Perëndinë; vranë shoqërinë, se shoqëria nuk mund të jetojë pa Perëndinë. Për lulëzimin e dashurisë, paqes, gëzimit duhet të jemi gjithmonë nën diellin që është Perëndia, vazhdoi Kryepiskopi. Dhe më pas Kisha ushton nga fjalët “Erdhi ora e Zotit!”, “Zoti është me ne!” – “Edhe ne me Zotin!”. Megjithëse ishte hera e parë që Kryepiskopi viziton Çifligun, afërsia me banorët tregon miqësi të vjetër. Të gjithë falenderojnë dhe, duke nxituar kush e kush të marrë bekimin e Fortlumturisë së Tij Anastas, i kërkojnë që të mos jetë hera e fundit që vjen në fshatin e tyre.

Të martën, 13 qershor, ditën e kremtimit të kujtimit të shën Nifonit, Kryepiskopi i priu Liturgjisë Hyjnore në vendlindjen e shenjtit, në Lukovë. Në kishëzën në mes të ullishtes, të ndërtuar rishtazi dhe të dëmtuar në mënyrë të përsëritur, besimtarët e shumtë dëgjuan Kryepiskopin t’u flasë për shën Nifonin, i cili përshkoi një trajektore të ndritshme, që filloi më 1234 në Lukovë dhe arriti në Malin e Shenjtë, ku fjeti më 1330, për të mos u shuar kurrë.

Ky bir i shquar i Lukovës, vazhdoi Kryepiskopi Anastas, është Shenjt i gjithë Kishës Orthodhokse dhe për 7 shekuj nderohet e respektohet nga gjithë të Krishterët Orthodhoksë të botës, sepse ata që shkojnë pas Krishtit dhe marrin Shpirtin e Shenjtë brenda vetes, përqafojnë gjithë botën me dashurinë dhe lutjen e tyre. Ungjilli dhe besimi në të cilin besojmë nuk i ndan njerëzit, por i bashkon, i ndihmon të kuptojnë njëri-tjetrin, bashkon e vëllazëron të gjithë popujt, të gjithë kombet mbi dhe, i ndihmon të kuptojnë njëri-tjetrin. Ky është besimi të cilit i përkasim.

Kryepiskopi vizitoi gjithashtu manastirin “Shën Vasili” në fshatin me të njëjtin emër, si edhe manastirin “Fjetja e Hyjlindëses Mari” në Kakome, Nivicë.

Diku këtu duhet ndërprerë ky reportazh, me ndjenjën se shumë gjëra u lanë pa përmendur. Veç, duke parë tek largohesh njerëzit që vazhdojnë të përshëndesin, kupton se ato janë bërë dhe do të vazhdojnë të jenë pjesë e jetës së atyre besimtarëve, pa pasur nevojën e letrës dhe lapsit tënd.

Korresp. i “Ngjalljes”