EmailFacebookKontakt

Shqipëria hyn në projektet e “Syndesmos”

Më 25-30 qershor 1995 më shumë se 35 të rinj orthodhoksë nga Shqipëria, Anglia, Franca, Hollanda, Polonia dhe Rumania u mblodhën në Korçë për një projekt kampesh rinore, të organizuar nga “Syndesmos”, e vetmja organizatë ndërkombëtare e Rinisë së Krishterë Orthodhokse.

Objektivi kryesor i konferencës 6-ditore të “Syndesmos” ishte trainimi dhe zhvillimi i aftësive midis të rinjve pjesëmarrës, me qëllim që ata të jenë në gjendje të organizojnë dhe të zhvillojnë kampe rinore në zonat e tyre respektive, si edhe të nxiste shkëmbim e kooperim midis kampeve.

Konferenca frymëzoi të rinj orthodhoksë nga zonat e Beratit, Durrësit, Elbasanit, Korçës, Lushnjës, Tiranës dhe Vlorës të fillojnë organizimin e kampeve këtë verë për rininë në komunitetet e tyre lokale. Grupet e punës në seancat e treinimit u drejtuan nga At Kalevi Kasala dhe Jaana Possi, drejtues veteranë të kampeve rinore nga kisha orthodhokse e Finlandës. Ester Hookëay nga Franca, Paul Kos, si dhe misionarët orthodhoksë At Luka Veronis dhe Peni Delijani, të cilët punojnë në Shqipëri, që shërbyen si këshilltarë.

Përveç grupeve të punës dhe diskutimeve të mbajtura, ndër pikat kulmore të kësaj veprimtarie me rininë orthodhokse rinore në Korçë, përfshiheshin edhe shërbesat e mëngjesit dhe të mbrëmësores në kishën e Shën Thanasit dhe Profit Ilias, Liturgjia e Shenjtë në Kishën e Burimit Jetëdhënës, kremtimi i ditës së Apostujve të Shenjtë Petro dhe Pavli në Vithkuq, takimi me anëtarë të Shoqatës së Intelektualëve Orthodhoksë, vizita në kishat e vjetra dhe të mrekullueshme të Voskopojës e Boboshticës, si dhe një prezantim emocionues me besimtaret e njohura Berta, Dhimitra e Françeska, të mirënjohura në Korçë për kontributin e jashtzakonshëm në ruajtjen e pacënuar të besimit tonë orthodhoks edhe në vitet më të errëta të ateizmit vandalist.

Syndesmos – Organizata Botërore e Rinisë Orthodhokse

Syndesmos u themelua në 1953 në Paris, nga një grup teologësh të rinj Orthodhoksë, si Xhon Mejendorf, Nikos Nisiotis, Pavël Evdokimov, Aleksandër Shmeman dhe Patriku i sotshëm i Antiokisë, Ignati, në përpjekje për të rinovuar unitetin e Kishës Orthodhokse.

Syndesmos mori shpejt bekimin dhe mbështetjen e gjithë Kishave Orthodhokse dhe punoi për të nxitur reflektime të thella, për rinovimin e dëshmisë së krishtërimit Orthodhoks, në disa fusha të ndryshme e të rëndësishme të jetës liturgjikale, zhvillimit të ekumenizmit, aktiviteteve misionare dhe unitetit midis Kishave Orthodhokse.

Sot, Syndesmos është rritur brenda bashkëpunimit të gjerë mbarëbotëror, duke punuar me më shumë se 150 organizata orthodhokse dhe shkolla theologjike, në mbi 50 shtete, dhe është e njohur nga Kombet e Bashkuara, UNESKO, Këshilli i Europës dhe organizma të tjera ndërkombëtare.