EmailFacebookKontakt

Aljë mandolinatë në majë të malit

Profesor Lefter Furxhiu, një nga mandolinistët më të mirë të vendit, ishte dhe një fetar i devotshëm. Pavarësisht se në vitet e fundit ishte i verbër, nuk kishte dritë, por dritë u dha të tjerëve.

Një ditë i kërkoi shokut të tij të shkonin në malin e Shën Ilisë, aty, pranë kishës së rrënuar. “Të bëjmë një koncert për Zotin. Me tremolon e mandolines sime t’i tregoj Atij dridhjet e shpirtit tim. Pikërisht atje të shkojmë në majën e malit, ku të duket sikur ballafaqohesh me Perëndinë”. Kur u afruan rrëzë malit të Shën Ilisë, u duhej të ngjiteshin duke kaluar rrugë të ngushta dhe plot gurë e pengesa. Megjithëse i verbër, as nuk i shkonte mendja të ndalej, por u mbante pas rripit të shokut të tij, derisa arritën para kishës. I qeshi buza dhe me atë buzëqeshjen e tij karakteristike filloi të falej dhe si mori një gur të kishës, e puthi me përgjërim, sikur të puthte një ikonë. Pasi u çlodhën pak, akorduan instrumentat. Filluan me “Zgjimin e pranverës” të Bahut duke vazhduar me “Mëshiro, o Zot” të Stradelës. Edhe Davidi e lavdëronte Zotin me melodi. Tingujt, akordet, të dukej sikur ngjiteshin lart, lart në qiell dhe se Dikush dëgjonte këtë mesazh të bijve të Tij.

Në tërë malin nuk ndihej shpirt i gjallë, veç muzikës, tingujve. Kur i erdhi radha “Ave Marisë”, profesori filloi ta shoqërojë dhe duke kënduar plot me drithërimë, plot vuajtje e shpresë.

Një pamje rrëqethëse, që nuk mund të imagjinohet lehtë. Melodi religjioze pranë kishës së rrënuar në majën e malit, nga një besimtar që kërkon dritë dhe që nuk mund të depërtonte në këtë botë dritë e ngjyrash. Lutej çdo ditë pareshtur e kjo lutje e lartësonte edhe më shumë. I dukej vetja se po takonte të Madhin Zot dhe me lot në sy tha: “Tani më erdhi drita, tani po shikoj lavdinë tënde, o Zot” dhe pastaj diçka foli jo me zë, por me shpirt.

Duke kënduar psalme e duke përsëritur lavdërimet, u kthyen në qytet, kur dielli ishte gati në perëndim, plot me gëzim e shpresë. Kishin lavdëruar e himnizuar Zotin.

Gaqo Baze