Refleksione nga Pashka 1995
Festa e Pashkës, tregoi se Komuniteti Orthodhoks në Shqipëri, me autoktoni, më i vjetri, po forcohet e ringjallet me shpejtësi. Faktorët që sollën në këtë fenomen hyjnor, sigurisht që janë të brendshëm, si proceset demokratike, gjithmonë në rritje, që po ndodhin etj, por edhe faktorët e jashtëm, ku kryesori është integrimi drejt qytetërimit evropian.
Nuk mund të përfytyrohet një ringjallje kaq e madhe e orthodhoksisë, pa patur në krye të kishës sonë Hirësinë e Tij Kryepiskopin Anastas. Shkatërrimi ekstrem dhe gjendja aktuale e orthodhoksisë, që trashëguam nga diktaturat e bënin të pamundur ringjalljen pa një udhëheqës të tillë shpirtëror. Këtë duhet ta dinë mirë ata pak antiorthodhoksë, që ende thurin plane si të shkatërrojnë kishën tonë.
Ishte mrekulli të shihje në festën e Pashkëve, kishat dhe katedralet tona, akoma shumë të pakta, në qytete e fshatra, ata mijëra e mijëra besimtarë, të cilët i faleshin Zotit Krisht, për një jetë më të mirë, dhe shpresë për të ardhmen.
Katedralja e Mitropolisë së Shenjtë në Korçë, aq keq e sakatuar, që mban akoma të burgosur atë pasuri kolosale ikonash, që i përkasin dhe presin t’ju kthehen kishave tona, nuk përballonte dot ata mijëra besimtarë që hynin dhe dilnin gjatë gjithë Javës së Madhe të Pashkës, sepse në dispozicion të kishës është lënë një sallë e vetme e tjetërsuar, “Muzeu Mesjetar”, i sajuar aq mizorisht nga diktatura ende sot qëndron ogurzi e tallet me besimtarët duke ju thënë: “Kot e keni, unë do të qëndroj po kështu, se jam vepër e diktatorit”. Sa më shpejt kjo godinë e tjetërsuar t’i jepet kishës sonë dhe të hiqet ai monument ogurzi, simbol i diktaturës, e shkatërrimit të kishave, aq më mirë do të jetë për ecurinë e demokracisë dhe të kulturës kombëtare.
Për kulturën e krishterë duhet të shërbejnë sot si muzeume kishat e katedralet tona, mbasi ato të jenë marrë totalisht nga kisha jonë, sepse prona të saj kanë qenë në shekuj. Kur këto të restaurohen dhe brenda tyre të rivendosen ikonat dhe ikonostaset e vjedhura nga diktatura, atëhere do të jenë muze të vërteta e do të vizitohen nga mijëra e mijëra besimtarë, vendas e të huaj, për të parë se çfarë kulture ka pasur vendi ynë dhe çfarë inkuizicion ka ndodhur kundër tyre. Ky paradoks i madh i kohës që po kalojmë duhet riparuar urgjentisht.
Dhe sa më shpejt të marrim pronat tona, në këtë periudhë tranzicioni, demokracia do të jetë më e shëndoshë dhe do t’i jepet një shtytje mjaft e fuqishme integrimit në komunitetin e vendeve të zhvilluara. Europa, organizmat e shumta që rregullojnë këtë supershtet, të pranon në gjirin e saj, kur, midis të tjerash besimet fetare lihen të lira, nuk manipulohen, nuk ka diktat dhe ndërhyrje të stërholluara për të penguar zhvillimin dhe ringjalljen e saj.
Orthodhoksia, me ndjenja sublime të kultivuara prej shekujsh, të patjetërsuara nga diktatet, midis të tjerash po rikonstrukton edhe shkallën hieratike klerikale. Kjo është dhe vepra më e vështirë, më e gjatë, sepse u shkatërrua totalisht nga komunizmi enverian dhe në këtë drejtim kisha jonë, përveç injorancës, asgjë tjetër nuk trashëgoi. Eshtë shumë e vështirë të krijosh mendje të ndritura teologësh dhe këtë shkallë të hierarkisë kishtare nga hiçi. Ktiptohen vështirësit e jashtëzakonshme që po përballon dhe do të përballojë Kryepiskopi ynë, Anastas. Kuptohet, nga ana tjetër, pse që tani kësaj fëmije të bukur që u lind e rritet i shëndetshëm, duan që t’i presin kokën dhe kështu do ta kenë më të lehtë për të arritur qëllimet e tyre djallëzore. Por, ato kohë kanë perënduar njëherë e përgjithmonë. Orthodhoksia dhe kisha e saj gëzon sot një reputation të madh në botën kristiane dhe është e gjerë dhe e hapur për të gjithë.
S’mund ta kuptojmë akoma pse nuk ngrihet kisha orthodhokse në Shkodër. Dihet që në atë qytet banojnë mbi 500 familje orthodhokse. Si ta shpjegojmë këtë dukuri negative për Shkodrën, aq shumë të lavdëruar për demokraci, ku është toleranca fetare e pushtetarëve të atjeshëm. Në qytetin e Korçës s’ka qenë në traditë feja katolike. Në kohë të luftës pushtuesit italianë ngritën një kishë katolike për ushtarët e tyre. Por ja, sot, për disa familje katolike, që numërohen me gishta, është ngritur një kishë katolike e bukur që drejtohet nga at Geri nga Kanadaja. Ja toleranca fetare në Korçë.
Mbi njëmbëdhjetë kisha dhe manastire sot mbahen në pronësi të ushtrisë dhe shtetit. Mjaft truaj dhe toka rrotull kishave e manastireve zihen çdo ditë. Fyerje e madhe dhe shkelje e të drejtave është moskthimi i Manastirit të Ardenicës; shumë lutje e kërkesa janë bërë për këtë manastir, deri në instancat më të larta, por veshi mbetet i shurdhët. Madje TV-ja, si për të acaruar nervat e besimtarëve orthodhoksë, jep para disa kohësh pamje nga biznesi që bëhet në mjediset e këtij manastiri të shenjtë. Ndaj, do të ishte një gjest shumë kuptimplotë dhe çlirim nga komplekset e të kaluarës, lirimi dhe dhënia urgjente e këtij manastiri dhe të gjithë pronave të tjera si ai, në pronësi dhe administrim të kishës sonë.
Thoma Piluri
Kryetari i Lidhjes së Intelektualëve Orthodhoksë”, Korçë