Bibla, apo Shkrimi i Shenjtë, duke qenë produkt i frymëzimit të Atij që ndodhet jashtë kohës dhe hapësirës, paraqitet si një Libër që bart përjetësisht një mesazh që është aktual për çdo epokë.
Etërit e Shenjtë të Kishës, duke pasur një përvojë të gjatë e të thellë shpirtërore, të bazaar në Fjalët e Shkrimit të Shenjtë, lanë për brezat e ardhshëm të krishtërimit këshilla të tërëçmuara, të cilat, duke qenë ruajtur me besnikëri nga Kisha (e cila i përfshiu në Traditën e saj), na shfaqen si një busull që të orienton drejt Qiellit, destinacioni për të cilin jemi krijuar.
Një nga këta Etër të Shenjtë është edhe Shën Ignati i Antiokisë, i cili mbajti për afro 40 vjet fronin e episkopit të këtij qyteti të Sirisë, deri sa u martirizua (107). Por këtu s’do të ndalemi mbi jetën e këtij Martiri të Shenjtë, e këtij “Mbajtësi të Perëndisë”, por në këshillat që ky i la Kishave të Krishtit.
Ato tingëllojnë aktuale për ne, sot, kur Kisha e Krishtit në vendin tonë, më tepër se kudo dhe kurdoherë tjetër ka nevojë për unitet. Vetëm me unitet ajo do të mund të mëkëmbë Tempullin e saj, gurët (besimtarët) e të cilit sistemi gjakatar komunist që mbizotëroi për 50 vjet i deformoi e u hoqi skalitjen origjinale. Duke qenë kusht i domosdoshëm për Rimëkëmbje, Shën Ignati ngre fuqishëm zërin e tij prej thellësisë së shekujve dhe na këshillon:
“… Kështu, pra, është mëse e domosdoshme që të ecni në mirëkuptim me mendimin e Episkopit, sikundër edhe po veproni. Në të vërtetë, Etërit e Kishës suaj, njerëz të denjë e të perëndishëm, janë të lidhur aq ngushtë me Episkopin e tyre sa ç’janë të lidhura telat me harpën. Prandaj dhe prej mirëkuptimit e dashurisë suaj dëgjoj se si kumbon në Qiell Himni kushtuar Zotit Krisht… “N’ëse unë brenda pak kohësh arrita të krijoj një miqësi dhe familjaritet të gjerë me Episkopin tuaj, një familjaritet shpirtëror jo njerëzor, sa duhet vallë t’ju quaj me fat të lumur juve, që jeni të bashkuar rreth tij, siç është bashkuar Kisha me Krishtin dhe sikundër Krishti është i bashkuar me Atin? Qëndroni gjithmonë në mirëkuptim dhe unitet…”
“Asnjë të mos gënjehet: ai që s’gjendet rreth Altarit, do të mbetet i privuar prej “Bukës së Perëndisë”. Nëse lutja e një apo dy vetave është me të vërtetë efikase, sa më tepër do të jetë ajo e Episkopit dhe e tërë Kishës!…”
“Ai që s’pranon të marrë pjesë në të njëjtin meshtim me Të (Episkopin), është njeri me zemër kryeneçe dhe si i tillë e ka marrë gjykimin e tij, pasi shkruhet (në Shkrimin e Shenjtë): “Perëndia u reziston kryeneçëve”. Pra, le të përpiqemi t’i bindemi Episkopit, në mënyrë që të jemi të bindur edhe ndaj Perëndisë…”
“Sa më tepër që të shohë ndonjëri një Episkop që hesht, po aq edhe ta nderojë. Në çdo rast, ne duhet të pranojmë atë që i Zoti i shtëpisë dërgoi për të administruar shtëpinë e tij ashtu siç do të pranonim vetë Atë që e dërgoi. Me fjalë të tjera, vëllezër, është mëse e domosdoshme që ta konsiderojmë Episkopin si vetë Zotin…”
“Nëse do të qëndroni në këtë mirëkuptim e dashuri, forcat e Satanait do të mposhten dhe rrënimi që ai kërkon t’i sjellë Kishës do të evitohet në atë masë sa ç’është mirëkuptimi dhe besimi juaj…”
Përgatiti: Sotir Doda
Shënim – Citatet e përdorura janë shkëputur nga “Shën Ignati i Antiohisë: Letrat”