EmailFacebookKontakt

Martirët e shenjtë të Apolonisë

Ieromartiri i Shenjtë Isauri ishte dhiak nga Athina dhe ka jetuar në kohën e perandorit romak Numerian (283-284 pas Krishtit) Ky, sipas biografive të tij, si mori me vete bashkëqytetarët e vet Vasilin dhe Inoqentin erdhi në Apoloni të Shqipërisë dhe aty gjeti të fshehur në një shpellë tre të krishterë: Filiksin, Ermiun dhe Peregrinin, me të cilët u lidhën dhe i forcuan në besimin e krishterë. Mirëpo, kur erdhën njerëzit e këtyre të fundit që t’i shkëputnin nga kontakti me Isaurin, ata refuzuan të ndaheshin; atëherë të afërmit e tyre i paditën te guvernatori i vendit, Triponti.

Triponti dërgoi dhe i arrestoi Isaurin dhe të pesë shokët e tij dhe ngarkoi për t’i gjykuar birin e vet, Apolonin. Ky, duke parë qëndrimin e tyre të palëkundur në besimin e krishterë, nisi lloj-lloj torturash, nga më të tmershmet e kohës, nga të cilat ndërhyrja e fuqisë së Zotit dhe durimi i mahnitshëm i tyre, i shpëtuan të shëndoshë. Kjo pati efekt të madh në popull, saqë shumë shpallën veten të krishterë, midis të cilëve dhe dy nga paria e qytetit, vëllezërit Rufi e Rufini.

Apoloni, duke parë se as me premtimet, as me torturat nuk po arrinte ndonjë rezultat, dha urdhër dhe iu prenë kryet me shpatë.

Kisha e nderon kujtimin e tyre çdo vit më 17 të qershorit. Shërbesën e tyre kishtare e ka hartuar patriku i Konstandinopojës Jermanoi, viktimë e perandorit ikonomak Leon Isaurit.

Po japim më poshtë, të kthyer shqip, përlëshoren e tyre:

Përlëshorja e Shenjtorëve të Apollonisë

Ejani besimtarë me himne e kremtime. të himnojmë grupin e të gjashtë atletëve të Krishtit; Isaurin e tërëurtë dhe Ermiun e lavdëruar, Vasilin e hyjshëm, Inoqentin, Filiksin, dhe Peregrinin e nderuar. Me lutjet e tyre o Krisht Perëndi, shpëto shpirtrat tanë.