Një i ri, fisnik dhe i pasur, dëshiroi të ndjekë jetën eremite. Kërkoi dhe gjeti Jerondin më të rreptë në shkretëtirë dhe i kërkoi që ta pranojë në vartësinë e tij.
-Shko më parë t’u shpërndash të varferve pasurinë tënde, për të zbatuar porosinë e Krishtit dhe pastaj do të të pranoj e këshilloi ai.
I riu u tregua i gatshëm dhe bëri atë që i tha Avai dhe i çliruar nga kujdeset materiale, u kthye mbrapsht.
-Tani do të qëndrosh në atë qeli, pa i folur njeriu, – e urdhëroi Jerondi.
Pesë vjet të tëra i riu përpiqej brenda në qeli dhe nuk nxirrte fjalë nga goja. Duke parë shpresëtarinë dhe durimin e tij, vëllezërit e nderonin dhe e respektonin. Një ditë Jerondi e thirri në qelinë e tij dhe i tha rreptë:
-Shoh se jo vetëm që nuk përfiton duke qëndruar në këtë qeli, po rrezikon që të humbasësh shpirtin tënd nga lavdërimet që të thonë vëllezërit e t’u (murgjërit e tjerë), aq më tepër që nuk i meriton. Përgatitu për të ikur nga Egjipti. Do të të dërgoj të qëndrosh në Manastir.
Murgu i mirë pa bërë zë tundte kokën për të treguar bindjen e tij dhe u përgatit menjëherë për udhëtimin e gjatë. Jerondi i dha një letër rekomanduese për Igumenin e Manastirit, ku i lutej që ta pranonte, por harroi t’i thoshte nëse duhej të fliste aty ku do shkonte. Kështu i riu, duke ruajtur besnikërisht porosinë e Jerondit, nuk hapi gojë për të nxjerrë fjalë aty ku shkoi. Shumica e morën për memec. Igumeni i Manastirit, për t’u siguruar e dërgoi një ditë kur lumi ishte i fryrë, që të kalonte në bregun matanë. “Do të detyrohet të kthehet mbrapsht e të thotë se nuk mund të kalojë”, mendoi. Më pas dërgoi edhe një murg tjetër për të parë se çdo të bente.
Si arriti në lumë, murgu e pa se ishte e pamundur të kalonte. U ul në gjunjë dhe u lut. Atëhere u afrua një krokodil nga lumi dhe i qëndroi pranë. I riu hipi në kurrizin e tij dhe bisha e nxorri në bregun tjetër.
Murgu që e ndiqte nga pas u kthye i mahnitur në Manastir dhe tregoi gjithësa kishin ndodhur para syve të tij. Që atëhere Igumeni dhe gjithë vëllezërit e tjerë e nderonin si Shenjtor.
Pas disa vjetësh murgu i mirë vdiq dhe Igumeni i shkroi Jerondit të tij: “Edhe pse na dërgove njeri memec, veçse jetoi si engjëll midis nesh”. Por sa e madhe qe habia, kur Jerondi iu përgjegj se ai njeri i lumur s’ishte aspak memec, por për hir të porosisë së Atit të tij heshti.