Nga Shën Joan Gojarti
A dëshiron ta bësh të pasur djalin tënd? Edukoje sipas doktrinës së Zotit. Se i pasur është jo ai që fiton të holla e që të s’ndjen të ngopur me këto, po, përkundrazi, ai që di të jetojë i kënaqur e me pak.
Apo ke dëshirë ta bësh të ditur e të lavdëruar? Dije mirë se dituria e vërtetë nuk sigurohet me anën e shkencës e të dijevet të ndryshme, po me librat e Perëndisë, të cilat na mësojnë misionin që kemi në këtë jetë, detyrat e mëdha që kemi kundrejt Perëndisë e kundrejt të afermit tonë, të cilat, më në fund, na ndihmojnë veçanërisht në formimin e karakterit tonë me anën e porosive të Ungjillit. Atëherë, me një edukim të tillë, të jesh i sigurt se biri yt do të bëhet me të vërtetë i madh e i lavdëruar; sepse nga kjo dituri do të mësojë të përbuzë e të mos i japë rëndësi lavdisë e famës së gënjeshtërt e të kotë të kësaj bote – që lakmohet dhe prej njerëzish të dobët e të liq – po të kërkojë vetëm e vetëm lavdinë e Zotit, e cila është e amëshuar dhe kurorëzon tërë ata, të vegjël apo të mëdhenj qofshin, që kanë jetuar me përulësi e me virtyt, duke kërkuar e duke bërë gjithnjë ato që i pëlqejnë Zotit.
Mos kujtoni, ju lutem, se këto i them që t’ju ndaloj të përkujdeseni për kulturën e femijëve. Aspak. Vetëm dua të theksoj këtë: të mos e kini mendjen vetëm në diturinë e jashtme dhe në disa të mira lëndore, siç është lavdia e pasuria, po më tepër në pastrimin e shpirtit me anën e porosive hyjnore…
…Disa besojnë se këto mësime janë të përshtatshme e të nevojshme vetëm për murgjërit e për ata që jetojnë brenda në manastire. Aspak. Janë më të nevojshme për ata, që do të hyjnë një ditë në jetën shoqërore. Sepse, sikundër s’ka nevojë për kapedan të zot e për anije të fortë ai që qëndron përherë brenda në port, por, përkundrazi, këtë nevojë e ndjen ai që udhëton nëpër det; ashtu ngjet dhe me njerëzit e shoqërisë e me ata të manastireve. Murgu, pra, pa ndonjë mundim e pa përpjekje të madhe mund të jetojë, si në port, i qetë e të kalojë aty, në manastir, një jetë të rregullt e të lirë nga çdo kujdesje e çdo shtrëngatë e jetës; ndërsa njeriu i jetës shoqërore, si luftëtar brenda në det, gjendet gjithnjë në mëshirën e dallgëve të jetës, duke luftuar me këto pa pushim e pa prehje. Kështu, pra dhe biri yt, që e përgatit për jetën shoqërore, ka nevojë më të madhe për edukatën fetare, mbasi ai do të duhet të përballojë ngasjet më të shumta e më të forta gjatë jetës së tij në këtë botë.