EmailFacebookKontakt

Një proces i gjatë sa vetë jeta

Nga presvitera Urani Ritsi

Gjatë periudhës së mrekullueshme të Kreshmës është një kohë e përshtatshme të lexojmë më shpesh Biblën, si një mjet për të sjellë veten tonë më afër Krishtit. Në të, Zoti ynë Iisu Krisht na thotë: “Lerini fëmijët e vegjël të vijnë tek Unë, mos i pengoni ata, sepse e tillë është Mbretëria e Perëndisë”. Le të shohim, se ç’do të thotë të çojmë femijët tanë te Krishti.

Të sjellim femijët tanë te Krishti është një proces, jo një akt i vetëm, një proces i gjatë sa vetë jeta. Dhe ne jemi përgjegjës ta fillojmë atë proces dhe të kujdesemi që të vazhdojë në gjithë jetën e femijës edhe në moshën madhore të tij.

Në një kohë që prindërve mund t’u duket e thjeshtë të udhëheqin në shtëpi fëmijët e tyre në përjetimin e ngrohtë të lutjes dhe se fëmija mund të qetësohet duket përjetuar lutjet për siguri personale, për mirëqenien e familjes dhe për paqen në botë, kjo mund të jetë më e vështirë se sa ta sjellësh fëmijën në Kishë dhe të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore. Së pari, femija mund të shikojë vetë atmosferën: Priftërinjtë dhe dhiakonët, të veshur bukur me stolitë me ngjyra, temjani dhe këmbanat, psallmet dhe hymnet në lavdi të Perëndisë, njerëz duke u lutur e kënduar dhe duke bërë kryqin. Fëmija mund të dojë të ndezë një qiri, të këndojë, të puthë ikonat, të bëjë kryqin, të sjellë lule dhe t’i vejë në ikonën që dëshiron. Pjesëmarja e shpeshtë në shërbesat e Kishës do ndihmojë fëmijët që të përshtaten me aktivitetin e Kishës. Me më shumë prani fëmija mësohet e mund të fillojë të marrë pjesë gjithmonë e më shumë. Ndaj ky është hapi i parë në sjelljen e femijëve te Krishti, por gjithsesi, ajo që fëmija mund të vijë të përjetojë është diçka më e lartë.

Krishti është i pranishëm në mënyrë të padukshme në Kishën tonë dhe Ai dëgjon e shikon fëmijën, e bekon atë dhe e pranon. Kur fëmija kungohet merr Trupin dhe Gjakun e Krishtit. Eukaristia është bashkimi më i afert që mund të kemi me Krishtin. Nëse femija është i vogël s’kupton ende mrekullinë e misterit. Dhe megjithatë, veprimi i padukshëm i hirit të Perëndisë s’ndërpritet. Perëndia dëgjon, shikon, bekon e pranon femijën. Nuk janë vetëm tingujt e veprimet fizike që mund të përjetojë fëmija në Kishë, por, gjithashtu, veprimi i padukshëm i hirit. E thënë thjesht, hiri është dhurata që Perëndia u jep nje-rëzve të Vet edhe pse ata nuk e meritojnë atë.

Detyra jonë si prindër mund të plotësohet vetëm nëse mësojmë femijët tanë të duan Kishën. Kjo është një dashuri, e cila shërben Kishën; është një dashuri e cila mund të shpaloset vetëm nëpërmjet kontaktit të shpeshtë e të rregullt me Kishën, nëpërmjet leximit të përditshëm të Biblës së Shenjtë, nëpërmjet lutjeve të përditshme dhe marrëdhënies në rritje me Perëndinë. Kjo është një dashuri, e cila korr vlerësim, vlerësim që është lumturi, paqe e gëzim, të cilat gjërat materiale nuk mund t’i japin dot kurrë.

Nëse kjo dashuri për Kishën zë vend që në moshë të vogël dhe femija zhvillon një etje për besimin, ai do rritet i lirë dhe i gëzuar në mënyrën e jetesës së Kishës. Ai do ndjejë se është me të vërtetë pjesëtar i Familjes së Perëndisë. Ndaj, ne prindër edhe gjyshër, le të marrim barrën të rrisim fëmijët tanë brenda në Kishë. Së pari, duke u dhënë rastin të marrin pjesë në Shërbesat e Kishës, së dyti duke marrë bekimin e padukshëm të Krishtit, së treti duke zhvilluar një marrëdhënie të gjallë me Iisunë, dhe së katërti, duke i nxitur ata të kenë dashuri për Kishën, e cila korr shumë përfitime shpirtërore.

Ndaj duhet t’i kushtojmë rëndësinë e duhur fjalëve e Krishtit kur na thotë: “Lerini femijët e vegjël të vijnë te unë …” dhe le t’u japim femijëve tanë rastin që të marrin atë bekim që vetë Krishti i jep gjithësecilit.