Duke udhëtuar drejt Dhoksatit, për të celebruar në ditën e Amalipsit, Ngjitjes së Zotit në Qiell, edhe bekimin e Ajazmës, burimit të shenjtë çudibërës të këtij fshati, syri të mbetet në bukuritë e natyrës. Një tokë e bekuar nga Zoti, me prodhime të shumta e gjelbërim maramendës. Duke ecur mes këtij gjelbërimi arrin në vendin e shenjtë, ku të presin banorët dhe besimtarë të ardhur nga fshatrat përreth e deri nga Gjirokastra. Por, çka të befason më shumë, janë dhjetëra fëmijë, të cilët ndjekin me përkushtim të thellë kremtimin e kryer, bekimin e ujit nga At Theodhori, i cili është bir i këtyre anëve.
– Historia e këtij burimi të bekuar, ku më parë mblidhej e gjithë krahina për të kremtuar, ka humbur disi në shekuj, – na thotë sekretari i këshillit kishtar, mësuesi Petro Vasili, – sa ëdhe më pleqtë e kanë të vështirë të kujtojnë. Thuhet se një shenjtor e bekoi atë në vitin që ra Konstandinopoja, por banorët kujtojnë mrekullitë që ai ka kryer. Aty pranë kanë qenë varrezat e fshatit dhe Kisha e Shën Marisë, tashmë e shkatërruar.
Fshati ka pasur dhe kisha të tjera, të rrënuara nga regjimit ateist. Në qendër të fshatit ngrihej Shën e Premtja, mbi vendin e së cilës u ngrit vatra e kulturës dhe ku, më 1991 u celebrua edhe Liturgjia e Parë. Në vendin e saj, ndodhet një ikonë ku çdo natë ndrit një kandile. Por, siç ka ndodhur dhe në anë të tjera, vendime arbitrare kanë bërë që ajo t’u shitet privatëve. Ndaj besimtarët s’heqin dorë nga kërkimi i të drejtës që u takon. Aty afer ndodhet edhe kisha e Shën Mihailit por, edhe ajo, fatkeqësisht, nuk mund ende të rindërtohet, sepse është kthyer në banesë dhe s’po lirohet, megjithëse i është njohur pronësia Kishës. Me anëtarët e Këshillit dhe besimtarë të fshatit, mbas kremtimit, biseda ndizet pikërisht rreth nevojës së rindërtimit të kishave dhe premtohet se do të kontribuohet për këtë edhe nga vetë fshati. Madje, dikush premton ndihma konkrete, me dëshirën që kjo të realizohet sa më shpejt.
Veçse, krahas këtyre, del në pah edhe më me forcë nevoja që nga kjo krahinë të dërgohen të rinj besimtarë për të studiuar në Seminarin Teologjik të KOASH. Sepse sa vlerë do të kishte ringritja e kishave, kur në to, për mungesë klerikësh, celebrohet shumë rrallë siç e di mirë edhe At Theodhori, të cilit i duhet të mbulojë 27 fshatra të krahinës, veç qytetit të Gjirokastrës.
Largohemi sërish mes gjelbërimit, me urimin që vitin tjetër, siç ka qenë tradita, në kremtimin e kësaj dite, të mblidhen sërish besimtarët e gjithë krahinës, duke iu lutur Perëndisë që mrekullia e ringritjes nga gërmadhat të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale me kontributin e paçmueshëm të Kryepiskopit Anastas, të bëhet sa më konkrete edhe në këto anë, djep besimi e tradite orthodhokse.
Korresp. i “Ngjalljes”