Më 4 qershor, në Manastirin e Shën Joan Vladimirit u kremtua dita e shenjtit. Ishte me të vërtetë diçka e mrekullueshme të shihje ata qindra e mijëra besimtarë që merrnin pjesë në përtëritje të një tradite të lashtë, që komunizmi s’e shuajti dot. Kishte të ardhur nga Elbasani, Tirana, Kavaja, Fieri, Lushnja, Durrësi etj., të cilët, të gjithë, donin me çdo kusht të puthnin lipsanet e Shenjtorit.
Në Kishen e Manastirit, të cilës i kanë mbetur vetëm katër muret, celebruan At Martini nga Tirana, At Gjergji nga Elbasani, At Kostandini nga Gjinari, si dhe dhiakonët Pali Dimoshi e Pali Qosja.
Mbas Liturgjisë së Shenjtë klerikët, të shoqëruar nga një grup i madh besimtarësh bënë një përshpirtje në varrezat pranë manastirit, pranë varreve të ish Kryepiskopit Visarion Xhuvani dhe priftit të fundit të Manastirit, At Kozmait.
Si përherë besimtarët përsëritën me forcë edhe kërkesën që t’u kthehen ndërtesat dhe trojet e manastirit, që ende i ka Ministria e Mbrojtjes dhe u thanë se këtë protestë të tyre të ligjshme do ta shprehin me të gjitha mjetet e rrugët e mundshme.