EmailFacebookKontakt

Vizioni dhe baza e bashkëpunimit paqësor të komuniteteve fetare në Shqipëri

Që vizioni i bashkekzistencës paqësore të komuniteteve fetare në Shqipëri të bëhet realitet, sigurisht, nuk mjaftojnë konstatimet e përgjithshme lidhur me të kaluarën dhe optimizmi i papërcaktuar për të ardhmen. Tradita dhe përvoja historike sigurisht janë të çmuara, por nuk ofrohen për kopjim të thjeshtë, sepse të dhënat politiko-shoqërore bashkëkohore e kuadret ndërkombëtare janë të ndryshme. Do të nevojiten nisma të reja, me mendim krijues dhe perspektivë më të gjerë. Do të duhet që të gjithë komunitetet fetare të kërkojnë në shtresat më të thella të doktrinës së tyre dhe në faqet më të mira të traditës së tyre parimet e një antropologjie të shëndoshë, me emfazë te respektimi i sinqertë i çdo personi njerëzor. Dhe në vazhdim të përpiqen me moralin e udhëheqjes dhe me edukimin e gjithë anëtarëve të tyre, për zhvillimin e mbizotërimin e këtyre parimeve.

Çdo fe thërritet që të zhvillojë gjënë më të mirë, më të thellë, më të pastër e më të bukur që disponon dhe të afrojë me to njeriun dhe shoqërinë më gjerë. Dhe më tej t’i ofrojë në mënyrë paqësore dhe konstruktive për tërësinë më të gjerë.

Realizimi i bashkekzistencës paqësore të komuniteteve fetare, por edhe të atyre që s’besojnë në Shqipëri, mund të përbëjë një model, një formë pararendëse bashkëekzistence më gjerë në Ballkan. E vetmja mundësi që rajoni ynë të jetojë në paqe është – që me nismë të vet komuniteteve fetare dhe me pjesëmarrjen edhe të jobesimtarëve – pluralizmi ekzistues të pranohet në mënyrë thelbësore, të ekzistojë respektimi i sinqertë i lirisë së ndërgjegjes të çdo personi dhe i lirive të çdo pakice në çdo vend.

Ajo që kërkohet nuk është thjesht tolerancë, pranim i thjeshtë, evitim përzierje e fesë në fërkimet nacionaliste, por diçka shumë më pozitive: Respekt dhe mirëkuptim reciprok, solidaritet i popujve, bashkëpunim krijues për synime humanitare të përbashkëta dhe në vigjilencën për ekosistemin e rajonit. Një përpjekje e qëndrueshme për harmoni shoqërore, për një dashuri autentike që tregohet me vepra. “Ai që do Perëndinë; nuk është e mundur të mos dojë edhe çdo njeri si veten.” Vetëm kështu mbetemi konsekuentë në frymëzimet më të thella dhe përjetimet e besimit tonë. Propozimi ynë përfundimtar, pra, është: Me kontributin aktiv të komuniteteve fetare, ecje përpara drejt një komonuellthi ballkanik paqeje dhe solidariteti, që siguron drejtësi dhe dinjitet njerëzor çdo personi dhe çdo populli dhe çon drejt një qytetërimi të thellë, njerëzor.