Të mërkurën, 3 maj, në Kishën Katedrale të Tiranës u zhvillua takimi i shtatë i ciklit “Ligjërata të intelektualëve”. Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, mbajti ligjeratën me temë “Vizioni dhe baza e bashkëpunimit paqësor të komuniteteve fetare në Shqipëri”.
Ky takim ishte i fundit për vitin akademik ’94-’95. Intelektualë të shumtë që morën fjalën në pjesën e dytë të takimit, i shprehën falenderimin e mirënjohjen e tyre Fortlumturisë së Tij si për iniciativën e organizimit të ciklit ashtu dhe për nivelin shumë të lartë cilësor në trajtimin e temave të mbajtura prej tij. Njëkohësisht ata i shprehën lutjen e tyre për vazhdimin e iniciativës me cikle të tjera, si dhe përmbledhjen e ligjeratave të mbajtura në një botim të veçantë.
Kryepiskopi Anastas, duke falenderuar për nderimin me pjesëmarrjen dhe vëmendjen, premtoi se me fillimin e vitit të ri akademik do nisë edhe cikli i ri “Ligjerata të Intelektualëve”, por në të njëjtën kohë iu drejtua atyre për pjesëmarrje aktive me trajtim temash nga fushat e specialiteteve të tyre. Roli ynë,- theksoi Kryepiskopi,- duhet të jetë si ai i llambadhës së Pashkës, e cila dritën që ka nuk e mban vetëm për vete, por ua transmeton llambadhave të tjera që të ndizen edhe ato. Në krah po botojmë pjesën e fundit të ligjeratës së Fortlumturisë së tij Anastas.