EmailFacebookKontakt

Patrikana Ekumenike: Kremtim traditional i Pashkës së Shenjtë

Shërbesa e Ngjalljes u krye në Kishën Patriarkale të Shën Gjergjit nga Tërëshenjtëria e tij Patriku Ekumenik Varthollomeu I. “Misteri i Ngjalljes së lavdishme së vdekurësh të Zotit tonë Iisu Krisht,- theksoi Patriku Varthollomeu, në mesazhin e tij traditional të Pashkës,- ka mbetur në mënyrë të qëndrueshme qendra e besimit dhe kultit të Kishës sonë Orthodhokse. E gjithë teologjia jonë … drejtohet në mënyrë këmbëngulëse rreth mrekullisë së pakonceptueshme të fitores së Krishtit mbi vdekjen”.

Duke drejtuar vëmendjen në përvjetorin e mbarimit të Luftës II Botërore Patriku Varthollomeu tha: “Njeriu dhe bota kanë provuar shpesh shijen e hidhur të vdekjes. Në këtë periudhë Pashke mbushen pesëdhjetë vjet nga mbarimi i Luftës II Botërore, luftë e cila qe burimi i të gjitha llojeve të vuajtjes dhe hidhërimit, takim i vërtetë i vdekjes. Holokausti i të humburve, milionat e jetimëve, viktimat e genocidit dhe urrejtjes raciale… mbeten… si një kujtim i hidhur i çnjerëzores dhe alogjikes në të cilën udhëhiqet njeriu kur është larg Perëndisë. Çfarë qe më tepër Lufta e dytë Botërore se sa një rrjedhojë dhe rezultat i irracionalizmit, i cili shtyp shpirtin, ndërgjegjen, intelektin dhe veprimet e njeriut, kur ky, duke hedhur poshtë Zotin e Ngjallur të jetës, në mënyrë vetmbështetëse krijon një idhull të vetvetes… Askush nuk mund të shpëtojë njeriun nga vdekja përveç Zotit Perëndi-Njeri, i Cili u ngjall së vdekurësh dhe i Cili shkatërroi “shtatin e vdekjes”.

Patriku tërhoqi vëmendjen edhe në një përvjetor tjetër të shënuar të vitit 1995. “Midis përpjekjeve të njerëzimit për shenjtëri jete dhe për stabilizimin e paqes, ne përfshijmë themelimin e OKB-së pesëdhjetë vjet më parë… Festimet e këtij jubileu, duke qënë përtej çdo cektësie dhe kotësie bashkëkohore duhet të ngrejnë pyetje serioze, sikurse shikojmë të ardhmen. Një fillim i ri nevojitet në përpjekjet që komuniteti botëror të kapërcejë qorrsokakun midis kombeve dhe në përgjithësi të bëjë njerëzore qenien njerëzore. Themelimi i kësaj organizate ndërkombëtare padyshim që manifeston dhe përcjell dëshirën e brendshme të njeriut drejt shoqërisë dhe vëllazërimit. Nëse mbështetemi në përvojën e përbashkët të gjinisë njerëzore, ne do të konfirmojmë se kjo dëshirë ka rrënjë të thella në eksistencën njerëzore dhe korrespondon me vetë natyrën e shpirtit njerëzor. I krijuar si ikonë e Perëndisë, njeriu gjen veten me gjithë ekzistencën e tij brenda dëshirës së shoqërisë dhe dashurisë… Kisha jonë e Shenjtë Orthodhokse projekton dhe përjeton këtë shoqëri si një gëzim të pandërprerë Pashke… Jeta eukaristike, si një komunikim i pandërprerë jete të vërtetë në Kishë, është provë dhe tregon fitoren tonë mbi vdekjen. Kjo është një bindje e thellë dhe provë e mjaftueshme se “nga vdekja ne jemi bërë të pavdekshëm”. Ndaj me të drejtë gëzohemi dhe falenderojmë dhe lavdërojmë”.

SOP-i