EmailFacebookKontakt

Themelohen edhe dy kisha

Vepra ndërtimore e kishës sonë përbën njërin nga aspektet themelore të mëkëmbjes së jetës së saj. Vepra rrënuese e së kaluarës ateiste i jep këtij aspekti karakter nevoje jetike përmasash me të vërtetë kolosale. Ndaj, në drejtimin e vetë Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastas, vazhdon puna me ritme intensive, si për ndërtimin e kishave të reja nga themelet ashtu edhe në riparimin e të dëmtuarave dhe restaurimin e atyre që përbëjnë vepra me vlerë kulturore.

Në këtë kuadër, javën e kaluar Kryepiskopi bekoi themelet e dy kishave të reja: të enjten, 11 maj, kishën e re të fshatit Shtërmen në Elbasan dhe të premten, 12 maj, kishën e re të fshatit Rrushkull në Durrës. Pas mbarimit të shërbesës së bekimit të themeleve të kishës së Shtërmenit, që do të mbajë emrin “Shën Dhimitri”, Kryepiskopi u foli besimtarëve për aktivitetin e gjithanshëm të kishës, për rolin aktiv që duhet të luajnë edhe ata, duke filluar nga kontributi i tyre për ndërtimin e kishës së re dhe u shpërndau botimin e ri të Dhjatës së Re, si edhe ikona të ndryshme.

Ndërsa kisha e fshatit Rrushkull do të mbajë emrin “Apostulli i Shenjtë Pavli”. Me komunikimin e emrit nga Kryepiskopi gëzimi i besimtarëve të mbledhur për shërbesën ishte i dukshëm, kjo për vetë faktin se ishte Apostull Pavli ai që përhapi krishtërimin në këto troje, që në fillimet e veta. Besimtarët, fëmijë dhe të rritur, duke marrë ikonat dhe duke marrë bekimin e Fortlumturisë së Tij, nuk linin rast pa shprehur mirënjohjen e tyre, si për vizitën e tij në fshatin e tyre ashtu edhe për kishën e re.

Korresp. i “Ngjalljes”