EmailFacebookKontakt

Letra nga lexuesit: Na ktheni Manastirin e Ardenicës

“Të lirohet sa më parë Manastiri i Shenjtë i Ardenicës”, – Kjo është thirrja që na buron nga shpirti e zemra ne, besimtarëve orthodhoksë, që ndjehemi jashtëzakonisht të fyer, që kisha e Manastiri i Shenjtë i Ardenicës, simboli i krishtërimit orthodhoks në Shqipëri, të përdoret edhe sot si lokal dëfrimi, njësoj si në kohërat e diktaturës së Enver Hoxhës. Pyesim: Kush e bën akoma ligjin, komunizmi apo demokracia?

Mos harrohet se manastiri i Ardenicës u përket të krishterëve orthodhoksë në të gjithë botën. Ai është simboli i rezistencës kundër pushtimit osman, sepse këtu u kurorëzua Heroi Kombëtar dhe mbrojtësi më i madh i krishterimit, Gjergj Kastrioti, i cili e ruajti besimin e tij orthodhoks, megjithëse u rrit peng në oborrin e Sulltanit dhe luftoi për mbrojtjen e tij dhe të pavarësisë së kombit shqiptar.

Ata që nuk na duan të mirën duhet ta dinë se po luajnë me zjarrin. Ne nuk do të lejojmë kurrë që Manastiri i Shenjtë i Ardenicës të shndërrohet në vend imoraliteti, prandaj i bëjmë thirrje qeverisë që të na e rikthejë, sepse nuk jemi akoma në monizëm, i cili konfiskonte dhe shkatërronte kishat, i transformonte ato në magazina, shtëpi kulture apo klube dhe i kërkojmë asaj që të na kthejë çdo gjë që është e jona, ikonat, ikonostaset, pronat që na janë grabitur e këtu, edhe gjënë më të shtrenjtë që i ka shpëtuar shkatërrimit të djeshëm, kuptimi dhe simboli i të cilit po shkatërrohet më keq sot, Manastirin e Ardenicës.

Sotir Bambulli
Boboshticë, Korçë