EmailFacebookKontakt

Trëndafili në Javën e Madhe – Meditim në Pashkën 1995

Përgatitje, emocione, lutje… Dita, po thyhet ngadalë. Ende, nëpër duar, sheh degë Dafine. Këmbanat lajmërojnë. Për Dhëndërin fillon Shërbesa. Në qendër-një ikonë. Shpërndan dhimbje, përulësi, ndërkohë që lutjet, e përqafojnë. Mbyllet Dera e Bukur. Një varg i gjatë, drejt ikonës, drejt Dhëndërit. Puthje, përqafime për Të.

Zërat ngadalë u shuan. Kandili flakëronte, lulet mbështetën kokën mbi ikonë. Në qetësi, ato prisnin…

E Hëna e Madhe. Petalja e parë e Javës së Madhe – Trëndafilit të Madh. Në të është shkruar: Përkujtim Josifi i Dhiatës së Vjetër, fiku i pafryt. Për kujtim, për kujtim, kujtim…

Nën kupolë, në qendër, përsëri ikona. Dhëndër! Mbi kokën e përkulur pak anash-kurorë gjembash, në ballin e brazduar prej dhimbjes-rrëkeza gjaku, në trupin e silitur-mantel i kuq, mes duarve të lidhura-një “spektër”, shikimi i Tij thotë…

Për kujtim Josifi, fiku. Josifi-ikonë e Krishtit, fiku i pafryt-mallkim i përjetshëm. Petalja e dytë, ngriti fytyrën e saj. Në të njoha 10 Virgjëreshat. Presin Dhëndërin. Vaji mbaron. Pesë prej tyre, bien. Bien, ranë, humbën…

Vaji i kandilit, të dashurisë për Perëndinë, mund të mbarojë edhe sot. Pesë Virgjëreshat, na e kujtojnë. Nuse-rorja vjen. Gjithçka e jona, duhet të rendë drejt saj, e plotë.

Ajri, përcjell drejt hapësirës, tingujt e një Himni. Brenda tij ka dashuri, lotë, mirë, përulësi. Tingëllon rrënqethës, ashtu si në ditën, kur lindi prej shpirtit të Kasianisë. Lutjet vazhdojnë. Mëshira e Pafundme përgjigjet.

Mbi petalen tjetër, vura re vezullim. Ishte Efqelia e Shenjtë. Mister. Pararendës i Atyre, që do të kryhen.

E Enjtja erdhi. Darka Mistike. Një Jetë për jetët tona. Gjaku dhe Trupi i Dhëndërit Krisht, u dhanë. Në atë çast u njom me Jetë, shpirti i përzhitur njerëzor. Madhështi lavdëruese për Dhëndërin.

Jashtë, errësirë. Dy sy vidhen, vrapojnë. Një gojë tradhëton. 30 monedha vajtojnë mbyturazi brenda burgut të mëndafshtë. Dora shtrihet dhe i merr. Mori 30, për Jetën. I dha një puthje të helmët.

Dhëndëri në burg. Përbuzje, poshtërim, kamzhik. Ai, të gjitha i duron, nuk nxjerr zë. Përulësi e skajshme, për ata, që i donte aq shumë.

Çdo gjë tingëllon e hidhur, torturuese. Vuajtjet e Tij-shpirtcoptuese. Një Kryq i rëndë, peshë mëkatesh. Zemra, tronditet thellë, kur ndien udhën e Tij, udhën e Kalvarit. Stuhi lotësh, përcjellin sytë e pikëlluar. Krishti në kryq, si kriminel! Tmerri tmerrohet prej vuajtjeve të Tij, do të vrapojë të zhduket dhe s’di se nga. Gozhdë, uthull, shtizë, fyerje. Agonia afron. Një zë prej gojës së Tij: “Gjithçka u përmbush!” dhe sytë… Tërmet, përmbysje, gjëmime, humbëtirë.

E Premtja drithëruese. Krishti në kryq. Vajtimet rrëzojnë malet, shkëpusin yjet prej qiellit, thërmojnë zemrat. Fytyra e Tij Hyjnore, këmbët e gozhduara, mbulohen me petale lotësh. Varri, zëvendëson Kryqin. Lulet, për këtë ditë çelën, që të vihen pranë Lules së Jetës. Honi i Ferrit, gëlltiste i pangopur. Për një çast, u drodh. Jeta zbuloi fytyrën, zëri i Tij u dëgjua. Gremina u shpërnda, heshtja u kyç, u thye e keqja. Shpirtrat e etur, panë Dritën dhe rilindën. Gjithçka, mori jetë dhe u prarua prej Gjakut të Çmuar. Vdekja u shpërbë, humbi, vdiq. Dashuria e Perëndisë triumfoi. Jeta filloi udhën e re të saj mes rënies së këmbanave.

“Krishti u Ngjall! Vërtet u Ngjall!”

Dritë, dritë, gjithkund dritë! Kaq shumë lambadha sa dukej, sikur grimca paj sore, po zbukuronin tokën. Vezët çukiteshin dhe pafundësisht thyhej Ferri. Ngazëllimi i Pashkës u përhap ngado, bashkë me dritën e Saj.

E Diela, u ul me gishtërinjtë e një luleje të kuqe, mbi të gjithë, që flinin dhe i zgjoi. Të gjithë gëzuan me Ngjalljen, rilindën, thithën ajrin e Jetës, se Krishti u Ngjall dhe Vdekja u mbyll në kurthin e saj.

Java e Madhe! Nuk di, pse më ngjan me një Trëndafil të madh, të mrekullueshëm! Ndoshta, se në Të ka shumë lule, ndoshta prej të Kuqes së Saj, ndoshta, se dhe një lule, merr jetë, prej vdekjes së lules.

Ajo lindi, se vuajti Krishti dhe është Trëndafili më i bukur, në kurorën e mahnitshme, të lavdisë së Tij.

Efrosina Noti