Cilido besëmirë dhe hyjdashës, le ta gëzojë këtë panair të mirë dhe gazmor. Cilido shërbëtor mirënjohës, le të hyjë i gëzuar në gazin e të Zotit. Ai, që u mundua me kreshmë, le ta marrë tani shpagimin. Ai, që punoi që prej orës së parë, le ta marrë sot rrogën e plotë. Ai, që erdhi pas së tretës, le të kremtojë me gjithë zemër. Ai, që arriti pas së gjashtës, le të mos dyshojë fare, se nuk pëson dëm. Ai, që vonoi gjer më të nëntën, le të afrohet pa hezituar fare. Dhe, ai që arriti vetëm në të njëmbëdhjetën, le të mos trembet nga vonimi. Se Zoti zemërdhembshur e pret të fundit, si edhe të parin, dhe e çlodh atë të orës së njëmbëdhjetë, si atë që punoi që prej orës së parë. Edhe të fundin e mëshiron, edhe të parin e shëron; edhe këtij i jep, edhe atij i fal; edhe punët i pret, edhe mendimin e pëlqen; edhe veprën e nderon, edhe qëllimin e lëvdon. Hyni, pra, të gjithë në gazin e Zotit tonë; edhe të parë edhe të dytë, merreni rrogën. Të pasur e të varfër, vallëzoni me njëri-tjetrin; të përkorë dhe të ngathët, kremtojeni këtë ditë; sa kreshmuat dhe sa nuk kreshmuat, dëfreni sot. Tryeza është plot, hani që të gjithë. Gjella është e shumtë, asnjë le të mos dalë i uritur. Të gjithë, gëzojeni dasmën e besës; të gjithë, gëzojeni pasurinë e mirësisë.
Asnjë le të mos vajtojë për varfërinë, se u shfaq mbretëria e përbashkët. Asnjë le të mos qajë për faje, se ndjesa lindi nga varri. Asnjë le të mos ketë frikë nga vdekja, se na çliroi vdekja e Shpëtimtarit. E shuajti kur përmbahej prej asaj. E plaçkiti ferrin ai, që zbriti në ferr. E hidhëroi, kur ngjeroi mishin e tij. Dhe këtë e parashikoi Isaia, dhe thirri: ferri u hidhërua, kur të hasi poshtë. U hidhërua, se u dërrmua. U hidhërua, se u gënjye. U hidhërua, se u vra. U hidhërua, se u rrëzua. U hidhërua, se u burgos. Priste një njeri, dhe gjeti Perëndinë. Priste dhenë, dhe hasi qiellin. Ku është gjembi yt, o vdekje? Ku është mburrja jote, o ferr? U Ngjall Krishti, dhe ti u hodhe poshtë. U Ngjall Krishti, dhe u përmbysën demonët. U Ngjall Krishti, dhe gëzohen engjëjt. U Ngjall Krishti, dhe jeta qytetërohet. U Ngjall Krishti, dhe asnjë i vdekur s’mbeti në varr. Se pas Krishtit u ngjallën të gjithë të vdekurit. E Atij është lavdia dhe fuqia, në jetë të jetëve. Amin.