Shën Joani ishte nga një fshat i humbur i Galilesë, i quajtur Bethsaida. Ishte djali i Zebede peshkatarit dhe i Salomes, e cila ishte bijë e Josifit, të Vluarit të Hyjlindëses. Sepse Josifi kishte patur nga martesa e parë katër djem: Jakov, Jose, Juda dhe Simon; dhe tre vajza: Ester, Marta e Salome. Për këtë arsye, sipas botës, shën Joan Teologu ishte nip i Zotit tonë Jesu Krisht.
Joani, së bashku me vëllanë e tij Jakovin, po ndihmonte të atin e tij, kur u thirr nga Zoti për ta ndjekur pas dhe për t’u bërë peshkatarë njerëzish. Ai la përnjëherë gjithçka dhe ndoqi pas mësimin qiellor. Dashuria e tij për Krishtin ishte kaq e zjarrtë, sjellja e tij kaq e shkëlqyer, saqë ai u bë Nxënësi i Dashur. Afërsia e tij me Zotin ishte e madhe dhe ai ishte një nga tre personat e rrethit të ngushtë së bashkë me Pietrin dhe Jakovin. Ai ishte një nga të tre nxënësit që Zoti mori me vete në malin Tabor, një nga të tre kur shëroi të bijën e Jairit, ai që pushoi në gjirin e Jesuit gjatë Darkës Mistike. Ai ndoqi Krishtin deri në oborrin e Kryepriftit. Kur u kryqëzua Zoti ai dhe Hyjlindësja ishin të vetmit që qëndruan pranë kryqit. Dhe pikërisht aty, në kryq, Krishti iu drejtua nënës së tij, duke treguar Joanin: “Grua, ja yt bir”. Pastaj i tha Joanit: “Ja nëna jote”. Dhe që nga ai çast Joani e mori në shtëpi Hyjlindësen.
Të dielën e Ngjalljes Joani së bashku me Pietrin vrapuan dhe panë varrin e zbrazur dhe pëlhurat e shtrira përdhe. Ai e pa Krishtin pas Ngjalljes, së bashku me nxënësit e tjerë, duke marrë prej Tij misionin për të përhapur kudo Lajmin e Mirë. Ishte i pranishëm në Ngjitjen e Zotit në qiell dhe mori Shpirtin e Shenjtë, që zbriti në formë gjuhësh zjarri mbi nxënësit, ditën e Rushajeve. Ai u largua i fundit nga Jerusalemi, duke u kujdesur për Hyjlindësen, deri në Fjetjen e saj.
Kur apostujt u ndanë për të predikuar në tërë vendet e botës, ata shtinë short. Joanit i ra ungjillëzimi i Azisë së Vogël, që ishte në atë kohë vendi me më shumë idhujtari. Kjo gjë e hidhëroi shumë dhe, si njeri që ishte, akoma nuk dinte ta vendoste tërë shpresën në fuqinë e pathyeshme të Perëndisë, për të forcuar dhe pastruar këtë dobësi njerëzore, Perëndia i bëri të ditur që do i nënshtrohej për dyzet ditë furisë së dallgëve të detit, para se të arrinte në destinacion. Gjatë kësaj stuhie, nxënësi i Joanit, dhiakoni Prohori, u hodh nga dallgët në brigjet e Seleukisë. Atje ai u akuzua nga banorët vendas për magji dhe dyshohej që kishte vjedhur arin e anijes së mbytur. Mbas dyzet ditësh ai takoi mësuesin e tij në qytetin Marmaroeti.
Nga ky qytet ata shkuan në Efes, ku dhe ranë në duart e një gruaje të quajtur Romana, e fejuara e guvernatorit Privatus. Ajo i detyroi të punonin në kushte çnjerëzore në një banjo ku e kishte banesën një frymë e ligë që e kishte si zakon të vriste çdo vit tre djem apo vajza të reja. Në kohën kur Joani dhe Profori po punonin, demoni kapi një kushëri të Romanës, të quajtur Domnus, dhe e mbyti në banjo. Shën Joani e ngjalli përsëri me anë të lutjes. Kur panë këtë gjë, Romana dhe të afërmit e saj u mbushën plot admirim dhe mbasi u mësuan në fenë e Krishtit, u pagëzuan.
Efesianët kishin një devotion të madh për perëndeshën Artemis (Diana), dhe në mënyrë periodike kremtonin festa për nder të saj. Gjatë njërës prej këtyre festave Joani u ngjit në kodrën ku ishte statuja e madhe e Artemisit. Kur e panë paganët, të tërbuar nga zemërimi, filluan t’i gjuajnë me gurë për ta vrarë. Por, nga hiri i Perëndisë, asnjë nga gurët nuk e preku shenjtin, por drejtoheshin dhe goditnin statujën. Kështu, statuja u bë copë nga admiruesit e saj, ndonëse pa dashjen e tyre. Kur panë këtë gjë, të tërbuar akoma më shumë, donin ta vrisnin përsëri me gurë, por gurët ktheheshin e i goditnin ata vetë. Nga lutja e shën Joanit toka u drodh dhe u hap duke përpirë dyqind prej tyre. Të trembur nga këto shenja hyjnore ata erdhën në vete dhe iu lutën Joanit të ndërmjetësonte për ta. Dhe, mbasi shenjti u lut përsëri, toka i nxorri sipër ata që kishte përpirë, të cilët i ranë në gjunjë.
Ndërsa numri i atyre që i besonin Krishtit po shtohej dita ditës nga mrekullitë e Joanit, demoni që banonte në tempullin e Artemisit, mori formën e një oficeri perandorak dhe iu tha autoriteteve të qytetit që dy magjistarë të rrezikshëm i kishin shpëtuar nga duart dhe iu premtonte një shpërblim të madh nëse kapeshin ose vriteshin. Por Joani, i ndriçuar nga Shpirti i Shenjtë, e zbuloi dinakërinë e demonit dhe iu dorëzua vetë paganëve, së bashku me Prohorin. I kapën të dy dhe i dërguan të lidhur në tempullin e Artemidës. Atje Nxënësi i Dashur iu lut Perëndisë që ta shkatërronte tempullin, por pa dëmtuar asnjërin. Sapo mbaroi lutja, ndërtesa, që ishte mburrja e kultit pagan u rrafshua përdhe dhe Joani e përzuri vetëm me anë të fjalës demonin që banonte aty prej 249 vjetësh. Pjesa më e madhe e paganëve, të habitur dhe të trembur, i besuan Krishtit.
Fama e Joanit erdhi deri tek perandori Domiciani, i cili dërgoi njerëz që ta sillnin tek ai. Mbasi e pyeti dhe e pa që besa e tij ishte më e fortë se gjithë fuqitë e tokës, vendosi ta internojë në ishullin e Patmos, duke menduar se kështu do t’ia ulte influencën. Gjatë udhëtimit për në ishull, Joani gjithmonë bashkë me nxënësin e tij Prohorin, tregoi dashamirësinë e Perëndisë ndaj çdo njeriu, duke shëruar ushtarët që e shoqëronin. Sapo arritën në ishull Joani shëroi Apollonidin, djalin e një fisniku të quajtur Miron. Në sajë të kësaj mrekullie dhe fjalës së shenjtit, e gjithë shtëpia e tyre besoi në Krishtin dhe u pagëzua. Gjatë qëndrimit të tij në Patmos ai bëri shumë mrekulli, duke kthyer në besën e Krishtit një shumicë të madhe paganësh. Pikërisht ishte në këtë ishull kur Perëndia i zbuloi vizionet e ardhshme dhe të fundit të botës, të përshkruara në librin e fundit të Dhiatës së Vjetër, në Zbulesën.
Kur Trajani erdhi në pushtet (98), e liroi Joanin nga internimi. Banorët e Patmos u trishtuan shumë. Shenjti, duke mos dashur t’i lerë jetimë dhe mbas një shenje qiellore, agjëroi tri ditë së bashku me besimtarët, pastaj u ngjit në një mal i shoqëruar nga Prohori, dhe drejtoi drejt Perëndisë tërë fuqitë e inteligjencës së tij. Papritur bubullima dhe vetëtima tundën qiellin e tokën. I shtangur nga habia Prohori ra si i vdekur përdhe, ndërsa Joani qëndroi i palëvizur në soditjen hyjnore. U dëgjua një zë bubullimë nga qiejtë: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi”.
Prohori i shkroi fjalët që iu zbuluan Joanit, siç iu zbuluan dikur Moisiut në Sinai, po tani jo vetëm për Hebrejtë, por për gjithë popujt e dheut.
Nga Patmos Joani erdhi përsëri në Efes, ku vazhdoi punën ungjillëzuese, duke kthyer në besën e Krishtit një numër të madh njerëzish. Ai ishte 56 vjeç kur la Jerusalemin për të predikuar Ungjillin. Predikoi 9 vjet deri në internimin, kaloi 15 vjet në Patmos e jetoi edhe 26 vjet mbas kthimit përsëri në Efes, duke jetuar kështu 105 vjet e shtatë muaj.
Kur u lajmërua nga Perëndia që kishte arritur çasti për t’u larguar nga kjo jetë, urdhëroi nxënësit e tij të gërmonin një varr në formë kryqi. Mbasi i përqafoi dhe i ngushëlloi të gjithë ai u fut vetë në varr dhe i urdhëroi ta mbulonin fillimisht deri në gju; pastaj mbas një lamtumire tjetër, e mbuluan deri në qafë dhe i mbuluan fytyrën pikërisht në momentin kur po lindte dielli. Pastaj u kthyen në qytet duke qarë. Por nxënësit e tjerë të shenjtit donin dhe ata t’i jepnin përshëndoshjen e fundit. Prandaj shkuan tek varri i tij. E gërmuan varrin, por nuk gjetën asgjë brenda. Sipas traditës së Etërve të shenjtë, shën Joani është ngjallur e ngjitur në qiell, në të njëjtën mënyrë si edhe Hyjlindësja, duke u përmbushur kështu fjalët enigmatike të Zotit, që i përgjigjej Petrit, kur ky i fundit po e pyeste për Joanin: “Nëse dua që ai të mbesë deri sa të vijë unë, ti ç’ke?” (Joani. 21:22). Ai s’donte të thonte që Nxënësi i Dashur nuk do të vdesë, por më tepër që atij do i rezervohej një short i veçantë, duke e lënë mënjanë deri në Ardhjen e dytë.
Varri i tij që u gjet bosh u bë një burim shërimesh. Çdo vit në 8 maj, varri mbulohej nga një lloj hiri, që të krishterët e vendit e quajtën “Mana”, që kishte fuqinë të shëronte sëmundjet e shpirtit e të trupit të kujtdo që lyhej me të me besë. Kjo mrekulli i dha rastin kishës që të kremtojë solemnisht dy herb në vit Nxënësin e Dashur, në 26 shtator, ditën e pushimit dhe në 8 maj kujtimin e hirit apo “Manës” së shenjtë, që mbulonte varrin e Apostullit dhe Ungjillorit të shenjtë, Joan Theologut.
At Joan Pelushi