EmailFacebookKontakt

Korçë: I gjithë qyteti në festë – Në kremtimin e Ngjalljes merr pjesë Presidenti Berisha

Kremtim më i madhërishëm se çdo herë tjetër i Pashkës së sivjetme, që gjatë gjithë Javës së Madhe ftoi në kisha të gjithë besimtarët e qytetit e fshatit.

Të Premten e Zezë, nxjerrja e Epitafit u bë sipas traditës, nga tri kisha, që u bashkuan në qendër të qytetit, ku po ndërtohet katedralja e re madhështore e Ngjalljes. E gjithë ceremonia u shoqërua me himne fetare nga banda muzikore e qytetit.

Me madhështi të veçantë u kremtua Ngjallja e Zotit tonë Iisu Krisht në tri kishat e qytetit; në të Burimit Jetëdhënës, në atë të Profetit Ilia dhe në të Shpërfytyrimit të Krishtit. Ishte me të vërtetë impresionuese po të shikoje nga larg kodrën ku ngrihet kisha e profetit Ilia, që shndriste e gjitha nga llambadhat e Pashkës. Ndërsa të gjitha rrugët për në Mitropoli u bllokuan nga mijërat e besimtarëve. Dhe gjithçka shndriti edhe nga fishekzjarret festive, një e re e kremtimeve të këtij viti. Në Kishën e burimit Jetëdhënës erdhi për të festuar bashkë me besimtarët orthodhoksë edhe Presidenti Berisha, i cili asistoi në ceremoninë e Ngjalljes dhe leximin e mesazhit Paskal të Kryepiskopit Anastas, si dhe çukiti vezët me At Kristo Racin dhe besimtarë të tjerë. Të nesërmen Presidenti uroi Pashkën në disa familje korçare.

Korresp. i “Ngjalljes”