Asnjëherë Kisha katedrale e Ungjillëzimit nuk ishte dukur më e vogël gjatë Javës së Madhe. Lumi i besimtarëve, shtohej çdo ditë e më tepër, duke i dhënë Pashkës së sivjetshme një madhështi e ndriçim të paparë.
Të Premten e Zezë, në ndryshim nga viti i kaluar, kur u ndalua nxjerrja e Epitafit, ceremonia tradicionale u zhvillua krejt normalisht. Epitafi i mbajtur nga të rinj besimtarë, u nxorr në rrugën e Kavajës, i prirë nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasi. Mijëra besimtarë, me shpresëtari e dhimbje, ndoqën Zotin e Kryqëzuar dhe mjaft prej tyre e gdhinë natën në kishë.
Ndërsa të Shtunën, kremtimi i Ngjalljes mori një shkëlqim të veçantë nga dritat e panumërta të llambadhave me dritën e pasosur, sa vendi dukej mjaft i ngushtë, megjithëse shërbesa e Ngjalljes u krye në rrugën përpara kishës, ku ishte ngritur një podium i posaçëm për këtë rast. Aty u lexua nga Kryepiskopi Anastas mesazhi i Pashkës 1995. Mbas kremtimit të Liturgjisë, në orët e para të mëngjesit, besimtarët u shpërndanë, për të çuar dritën e Pashkës në të gjitha anët e kryeqytetit. E gjithë ceremonia e Pashkës u transmetua drejtpërdrejtë nga Televizioni Shqiptar.
Të dielën, po në kishën e Ungjillëzimit, Kryepiskopi Anastas priti vizitat e urimit për Komunitetin Orthodhoks të përfaqësuesve të komuniteteve fetare, partive etj. Erdhën për urime Kryeministri Meksi, Nunci Apostolik Mons. Ivan Diaz, Baba Reshat Bardhi, Sheh Muhamet Pazari, ambasadorë të akredituar në vendin tonë, deputetë, intelektualë, besimtarë etj.
Korresp. i “Ngjalljes”