Gjatë gjithë Javës së Madhe u kryen shërbesat e shenjta në kishën e Shën Gjergjit, në qytetin e Ersekës, kishë e re e ndërtuar vitin e fundit, me kontributin dhe përkujdesjen e Kryepiskopit, Fortlumturisë së Tij, Anastasit. Shërbesa u kryen edhe në fshatrat e zonës, si Borovë, Rehovë, Vodicë, Prodan, Lëngëz e Kreshovë. Të Premten e Zezë Epitafi, sipas traditës, u shoqërua nëpër sheshin e qytetit dhe rrugët e tij, nga të gjithë besimtarët, edhe të fshatrave përreth.
Po në sheshin qendror të qytetit, u prit Ngjallja e Zotit tonë Iisu Krisht, duke kënduar Troparin e Ngjalljes, së bashku me korin e fëmijëve. Dhe, si një lumë dritash, të gjithë, me qirinj të ndezur në dorë, u drejtuan drejt kishës, për të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore. Shërbesa e Ngjalljes u krye edhe në kishën e fshatit Borovë, një kishë e re parafabrikat, edhe kjo e ndërtuar me përkujdesjen e Kryepiskopit Anastas. Ndërsa, për besimtarët e fshatit Lëngëz, meqenëse shërbesa u krye në orët e para të mëngjesit, të gjithë erdhën në kishëzën e vogël të Shën Dhimitrit për të marrë Dritën që s’perëndon.