EmailFacebookKontakt

Berat: Traditë e ripërtërirë në qytetin e lashtë

Eshtë i pesti vit që Pashkët e Mëdha festohen gjithnjë e më bukur në qytetin e lashtë të Beratit. Preludi i kësaj feste të ndritshme ishte e Diela e Dafinave, ku nga kisha e Shën Spiridhonit në lagjen Goricë, besimtarët me degë dafine në duar dukej se prisnin vetë Shpëtimtarin. Të Enjten e Madhe, në sallën e kishës së mbushur plot me besimtarë, nën ndriçimin e qirinjve, nën tingujt qiellorë të korit kishtar, psaltëve dhe zërit të at Vangjel Xoxes, gjatë leximit të 12 Ungjijve, Krishti do të kryqëzohej për të dhënë frymën e fundit, ditën e nesërme, Të Premten e Zezë. Në mbrëmjen e kësaj dite, nën tingujt mortorë të këmbanave, nëpër rrugët e kalldrëmta e të pjerrëta të qytetit, qindra qytetarë të besimeve të ndryshme ndiqnin me respekt të veçantë procesionin me Epitafin e Iisuit të vdekur.

Të shtunën në mesnatë, në prani të mjaft besimtarëve u lexua Mesazhi drejtuar nga Fortlumturia e Tij Anastas me rastin e Pashkëve. Në këtë orë të Ngjalljes, shoqëruar me ndezjen e qirinjve, thyerjen e vezëve të kuqe të Pashkës (simbol i shfuqizimit të ferrit), kumbonin tingujt e himnit të Ngjalljes e urimi që i drejtonin besimtarët njeri tjetrit: “Krishti u ngjall: Vërtet u ngjall”. Të dielën pasdite në selinë e Mitropolisë së Beratit, bënë vizita dhe uruan për Pashkët autoritetet e qytetit si dhe përfaqësues nga komunitetet e tjera fetare.

Ilia Zaka
Xhovani Shyti