+ANASTASI,
Kryepiskop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë,
Klerit dhe Besimtarëve shpresëtarë orthodhoksë,
Bij të shtrenjtë më Krishtin,
Brenda errësirës së zymtë që rrethon qenien njerëzore, në mesnatën e dhimbjes, të sëmundjes, të skamjes, të padrejtësisë, të dëshpërimit, Kisha drejton ftesën: “Ejani merrni dritë nga drita që s’perëndon.” Krishti u Ngjall!
Sado që të duken absurde e të dhimbshme ato që ndodhin rreth nesh dhe brenda nesh, megjithatë, jeta njerëzore ka kuptim. Me Ngjalljen e Krishtit, drejtësia dhe dashuria e Perëndisë morën shprehjen e tyre më triumfale, duke shfuqizuar pushtetin e urrejtjes dhe të vdekjes. Këtu arrin kulmin mesazhi përjetësisht paskal i Ungjillit. Perëndia “kur e ngjalli Atë (Krishtin), prej së vdekurësh” “e vuri të rrijë në të djathtë të Tij në qielloret, përmbi çdo urdhëri, dhe pushteti, dhe fuqie, dhe zotërie, dhe emri, që quhet, jo vetëm në këtë jetë, por edhe në atë që vjen; Edhe të gjitha i vuri nën këmbët e Atij” (Efes. 1:20-22). Të gjitha pushtetet e autoritetet e tjera të kësaj bote, sado që herë pas here shfaqen të ashpra dhe të pamposhtshme, përfundimisht, janë të thyeshme e të përkohshme. Te Zoti i Ngjallur, pra, mbështetuni, me besim absolut. Bashkohuni me Të në pjesëmarrjen në Misteret, me Pagëzimin dhe Eukaristinë Hyjnore, duke u bërë bashkëpjesëtarë në vdekjen, varrimin dhe Ngjalljen e Tij. Këtë mister shpërblyes të Pashkës përjetojmë në gëzim ne besimtarët dhe shijojmë jetën e përjetshme, që na fali me Pësimin dhe Ngjalljen e Tij.
“Ejani merrni dritë nga drita që s’perëndon…” dhe pranoni mesazhin mistik të Pashkës. Drita e Pashkës zbulon lidhjen e qëndrueshme të Ngjalljes dhe të Kryqit dhe na fton të pranojmë logjikën e flijimit të vullnetshëm, si formë jete që mund çdo lloj vdekjeje. Çdo flijim i çiltër, që bëhet me dashuri të painteres, merr kuptim ngjallësor. I jep qenies njerëzore kuptim paskal. Ngjallja nuk është diçka që vjen pas Kryqit. Ngjallja gjendet brenda në Kryq; kur e pranojmë, lirisht, si Krishti, nga dashuria për Perëndinë dhe bashkënjerëzit tanë. Prandaj, edhe të gjithë sa E pasuan me konsekuencë dhe përkushtim, jetuan vështirësitë, fatkeqësitë dhe privimet më të mëdha, madje edhe martirizimin, brenda këtij ngazëllimi të Kryqit dhe të Ngjalljes. Këtë gëzim, të cilin asnjë privim, asnjë përndjekje, asnjë shpifje dhe asnjë persekutim nuk mundi t’ua heqë, ndërsa përqafonin kryqin e tyre me vështrimin te Krishti i Ngjallur.
“Ejani merrni dritë nga drita që s’perëndon…”. Një dritë, e cila nuk destinohet vetëm për disa njerëz ose popuj të zgjedhur, dhe as kufizohet vetëm tek ata, por dritë e cila do të duhet t’i përqafojë të gjithë, pa dallime kombesh, racash, ngjyrash, prejardhjesh. I Ngjalluri së vdekurësh, Ai që është Drita, “që ndriçon çdo njeri që vjen në botë”, i transformon të gjitha, çdo formë jete, marrëdhëniesh e zhvillimi. Me Ngjalljen e Tij “gjithësinë njerëzore e mori nga fundi i Hadit dhe në Qiell e ngriti”. Të gjithë njerëzit, të gjithë popujt, kanë të drejtën e tyre në fitoren, në dashurinë, në gëzimin e Ngjalljes. Dhe Kisha, e shtangur përpara përmasave botërore të ngjarjes, psall: “Ngjallja jote o Krisht Shpëtimtar, ndriçoi mbarë botën”, “të gjitha u ndriçuan me Ngjalljen Tënde o Zot”. Gjithë krijesa merr dritë të re: “Tani u mbushën me dritë të gjitha, qielli dhe toka dhe të nëndheshmet”.
* * *
“Ejani merrni dritë nga drita që s’perëndon…”. Brenda këtij ndriçimi të gëzueshëm të Pashkës, vëllezër, le t’i urojmë njëri-tjetrit, që Perëndia i Zotit tonë Iisu Krisht, Ati i lavdisë, të na japë frymë urtësie dhe zbulimi, që të njohim me mendjen dhe me zemrën, diçka nga dhuratat e Ngjalljes së Tij në jetën tonë personale. Në veçanti, të njohim “cila është shpresa e të thirrurit të Tij, edhe cila është pasja e lavdisë së trashëgimit të Tij tek shenjtorët, edhe cila është madhështia e pamasë e fuqisë së Tij tek ne që besojmë, sipas veprimit të pushtetit të fuqisë së Tij, të cilën e veproi te Krishti kur e Ngjalli Atë së vdekurësh” (Efes. 1: 18-20).
Shpresë, thesar dhe fuqi le të nxjerrim, duke jetuar misterin e Kryqit dhe të Ngjalljes. Shpresë për të tashmen dhe të ardhmen – personale, shoqërore. Për zhvillimin e shoqërisë, të vendit tonë, të rajonit tonë më të gjerë, që vuan nga përplasje maniake, rezultat përfundimtar i një edukimi ateist të brezave të fundit dhe i një përshtjellimi modern. Shpresë që tejkalon përpjekjet dhe aspiratat njerëzore, sepse mbështetet në hirin dhe dhuratën e pagjurmueshme të Perëndisë. Thesar jete trashëgimie të lavdishme, që u dhuron fitimtari Krisht të gjithëve sa e pasojnë, duke i bërë produhimtare jetën njerëzore dhe marrëdhëniet njerëzore, me thesarin e pafund të dhuntive të dashurisë së Tij. Fuqi të pamposhtshme, që të mundim zhgënjimin, frikën, konfuzionin, ankthin, dëshpërimin, kërcënimin e çdo lloji. Fuqi, që të kontribuojmë në mirëkuptimin e pajtimin, aty ku ende mbizotërojnë mosbesimi, idetë fikse të armiqësisë, urrejtjet e çdo natyre. Fuqi durimi dhe krijimtarie, në një botë të papërmbajtur dhe në dekadencë.
Ky lloj shprese paskale, kjo cilësi thesari, kjo fuqi e pamposhtshme e Ngjalljes, uroj, vëllezër të dashur, që të mbushin jetën e të gjithëve dhe të ndriçojnë në zemrën dhe në ecjen tonë të përditshme.
“Ejani merrni dritë nga drita që s’perëndon…”. Dhe transmetojeni këtë dritë Pashke në të afërt dhe të largët. Dritë, më shumë dritë Pashke, në zemrën tonë, në fytyrat tona! Dritë, më shumë dritë Pashke, në marrëdhëniet tona me të tjerët, në marrëdhëniet midis popujve! Dritë Pashke, që nuk perëndon, që fal kuptim, shpresë, thesar dashurie e fuqi Perëndie. Çdo mendim i yni, çdo fjalë e jona, çdo veprim yni, çdo moment heshtjeje, le të ndriçohen nga Drita e Ngjalljes.
Me përqafim paskal dashurie
Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë
+Anastasi