Nga tradita jonë orthodhokse
Pashka dhe Vezët e kuqe
Për Pashkën e Madhe ne të krishterët orthodhoksë, përdorim vezë të kuqe, që i çukasim njëri me tjetrin duke thënë: “Krishti u ngjall” – “Vërtet u ngjall”.
Zakoni i përdorimit të vezëve të kuqe për Pashkë është shumë i vjetër. Një gojëdhënë e kishës thotë: Kur Maria Magdalena, pas Ngjalljes së Krishtit, vajti te Pilati t’i njoftonte ngjarjen dhe i shpuri si dhuratë një shportë me vezë të bardha, sipas zakonit të atëhershëm, ai i tha: Sa mund të bëhen të kuqe vezët që më solle, aq mund të jetë ngjallur Krishti. Dhe, për çudi, vezët u bënë menjëherë të kuqe. Këtë thotë gojëdhëna.
Historikisht dihet se si hebrejtë, edhe romakët i përdornin vezët e kuqe si simbole gëzimi e jete. Tek romakët përdorimi i vezëve të kuqe si shenjë fati e gëzimi nisi të zgjerohej qysh në kohën kur në Romë qe perandor Septimus Sever. Një shkrimtar i asaj kohe e shpjegon kështu: “Prindërit e Septimus Severit paskan pasur një pulë, e cila, ditën kur lindi ai, paska bërë një vezë të kuqe. Pasi, më vonë u ngjit në fron si perandor, veza e kuqe u konsiderua si simbol fati dhe nisi të përdorej në raste të veçanta e solemne”.
Për ne, Orthodhoksët, vezët e kuqe që përdoren gjatë periudhës së Pashkës së Madhe e deri ditën e Ngjitjes së Zotit në Qiell, simbolizojnë ngjalljen dhe krijimin dhe na kujtojnë gjakun e derdhur mbi kryq për shpëtimin tonë të Zotit Jisu Krisht për një jetë të re shenjtërimi, dashurie dhe drejtësie për shpëtimin tonë.
Aq thellë ka hyrë ky zakon në shpirtin orthodhoks, saqë edhe në kohët më të rrezikshme të diktaturës ateiste komuniste, pjesa dërrmuese e familjeve orthodhokse, në fshehtësinë më të madhe, do ta plotësonte këtë zakon, do të përgatiste vezë të kuqe.
Dh. B.