Patrikanë Ekumenike
Diaspora Ukrainase nën juridiksionin e saj
Të dielën e Orthodhoksisë, 12 mars, në kishën patriarkale të Shën Gjergjit, së bashku me kremtimin e ikonave, u festua dhe inkuadrimi i komuniteteve orthodhokse ukrainase të diasporës, pra të gjithë komuniteteve që u krijuan gjatë dekadave të fundit jashtë Ukrainës për arsye të rrethanave të njohura politike, nën juridiksionin e Patrikanës Ekumenike. Në Derën e Bukur të Kishës Patriku Ekumenik Vartholomeu i dorëzoi në mënyrë simbolike Mitropolitit të Iri-nupolit, Konstandin, Miron e Shenjtë në enën e argjendtë, si dhe Lipsanet e Shenjta, për t’i çuar në grigjën e vet në Amerikë, ku edhe shërben. Me emocion e përkushtim Mitropoliti Konstandin iu drejtua Patrikut Ekumenik: “Tërëshenjtëria Juaj e Hirshme dhe Hierarkët e nderuar të Sinodit të Shenjtë e të Hirshëm pranojnë sot përulësinë time dhe të vëllezërve tanë Hierarkë të Kishës Orthodhokse Ukrainase të SHBA dhe të diasporës, nën omoforin e Patrikanës Ekumenike, duke përtërirë kështu lidhjen e lashtë e të thellë midis Patrikanës Ekumenike e Kishës Orthodhokse të Ukrainës, siç ekzistonte prej vitit 988, kur Shën Vladimiri i Madh dhe Isapostull pagëzoi kombin ukrainas në orthodhoksinë e shenjtë”. Ndërsa Patriku Ekumenik e konsideroi ngjarjen “Triumf të Besimit dhe të Orthodhoksisë”.
Në foto: Patriku Ekumenik dhe Mitropoliti Konstandin.