EmailFacebookKontakt

Nga traditat e së Enjtes së Madhe… dhe të Premtes së Madhe

Nga traditat e së Enjtes së Madhe…

Për besimtarët orthodhoksë, java e fundit e kreshmëve quhet “Javë e madhe”, sepse gjatë kësaj jave përkujtohet periudha e fundit e jetës së Jisu Krishtit mbi dhe.

Përkujtohen veçanërisht: tradhtia e tij prej Juda Iskariotit, arrestimi dhe procesi i gjykimit të Tij me vdekje, madje me vdekje mbi kryqin, prej Sinedrium-it judaik dhe Pilatit.

Të gjitha këto ngjarje paraqiten në mënyrë të prekshme në të 12 pjesët e ungjijve dhe në himnet e bukur që këndohen gjatë ceremonisë fetare të së Enjtes së Madhe, që me aq përkushtim zhvillohet në Kishat tona Orthodhokse, me një pjesëmarrje shumë të gjerë të besimtarëve dhe me një shprestari të jashtëzakonshme nga ana e tyre.

Po ti, i dashur lexues, ç’mendon? Nëse edukata gjysmëshekullore ateiste – komuniste arriti të të helmojë shpirtin dhe të të largojë nga zakonet tona të bukura tradicionale 20-shekullore, shkundu. Kalo njëherë nga Kisha jote këtë ditë dhe ke për të parë kënaqësinë shpirtërore që do të ndjesh. Provoje një herë dhe do të shohësh se nuk je kulmi i zhvillimit të pemës shtazore darviniane, por je krijesë e veçantë e Zotit me një qëllim dhe mision të lartë në këtë botë e në jetën e amëshuar. Provoje.

… dhe të Premtes së Madhe

Të Premten e Madhe, në qendër të çdo Kishe Orthodhokse gjendet Epitafi, që simbolizon varrin e Krishtit. Rreth epitafit, në mbrëmjen e kësaj dite, këndohen me shpresëtari të madhe “Vajtimet e përmbivarëshme të Krishtit”, prej grupeve të ndryshme besimtarësh Orthodhoksë dhe bëhet proçesioni i tij rreth Kishës.

Nuk ka besimtar orthodhoks që këtë ditë të mos shkojë në Kishë dhe të nderojë varrin e Zotit tonë Jisu Krishtit, i cili dha jetën e Tij për shpëtimin e njerëzimit nga mëkati.

Të gjithë ne jemi mëkatarë, kush më pak e kush më shumë. Të gjihtë kemi nevojë për ndjesë. Dhe ndjesën e kemi pranë. Kemi Krishtin e kryqëzuar, të gatshëm gjithënjë për të na falur. Mjafton që ne t’i drejtohemi Atij me zemër të përulur.

Dh.