Shën Terini i Butrintit
Luftëtar trim i besimit
Shën Terini është martirizuar në qytetin Butrint gjatë përndjekjes së Deciusit (250 pas Krishtit). Për jetën dhe martirizimin e tij informohemi nga një fjalim që gjendet në një kodik të shekullit të XIV. Kodiku ndodhet në bibliotekën e Manastirit “Kutlumusion” të Ajonorosit. Fjalimi është shkruar prej Kryepiskopit të Korfuzit Arsen, i cili ka jetuar në shekullin X. Eshtë gjetur e botuar nga historiani Spiridhon Llambros, në “Anekdota të Korfuzit”, viti 1882.
Nga ky fjalim po japim shkurtimisht më poshtë disa të dhëna për martirizimin e Shën Terinit.
“Shën Terini, ky luftëtar trim i besimit, u arrestua në kohën e përndjekjes së Deciusit dhe u suall para gjyqit, ku zjarri qe bërë gati, shpatat qenë mprehur, shkopinjtë ishin pranë tribute dhe nga njëra anë e saj ndodhej shtrati i hekurt dhe nga ana tjetër këmisha e hekurt”.
Martiri nxitej nga gjykatësi t’u sjellë therore “Zeusit e perëndive të tjera”, po ai me guxim e trimëri iu përgjigj: “Për ç’perëndira flet o gjykatës? Për krokodila dhe mace, për lakuriqë nate e për majmunë, për demin e Apis e të tjerë si ky, të cilave ju u faleni si Perëndi?
Gjykatësi atëherë filloi nga kërcënimet. Po martiri përsëri iu përgjigj: “Bëj ç’të duash; premë pjesët e trupit, çamë mishin, digjmë me zjarr. Unë jam i krishterë”.
Dhe tirani urdhëroi që Shenjtit t’i priten pjesë nga trupi, e t’i çahen mishrat dhe gjaku ngjeu tokën. Pastaj e hodhën në një furrë zjarri, po edhe andej shpëtoi për mrekulli. E urdhërojnë pas kësaj të shtrihet mbi një zgarë të skuqur në zjarr. U shtri. Po zgara nuk veproi. Më vonë e shpunë në Ipodrom dhe e hodhën në mes të egërsirave të urritura. Po edhe ato nuk e sulmuan. Në mënyrë të çuditshme ato e respektuan.
Atëherë gjykatësi, duke parë lart në qiell, “bie në këmbë të shenjtit, i kërkon ndjesë për sa i kishte bërë dhe e lë të lirë.
Shën Terini jetoi pas këtyre ngjarjeve edhe tre vjetë e ca. Ndërroi jetë më 23 prill të vitit 250 pas Krishtit, datë në të cilën bëhet dhe përkujtimi i tij nga Kisha.
Nga sa më sipër, mund të nxirret përfundimi se martiri Terin ka qenë një personalitet me rëndësi dhe dinamik i Kishës së vjetër të Butrintit, i cili shquhej për besimin e tij të zjarrtë dhe për dashurinë e tij të madhe për Krishtin.
Me të drejtë Shën Arseni në fjalimin e tij e quan “Shembull burrërie, tip urtësie, çrrënjosës ligësie, mbjellës virtytesh, mbrojtës i të përndjekurve, shërues i të sëmurëve dhe ngushëllues i të mjeruarve”.
Të gjithë Sinaksaristët përmendin se, bashkë me Shën Terinin, në Butrint u martirizua dhe Shën Donati.
B.