EmailFacebookKontakt

Ngjallja e Jisuit

Dhe si kaloi e shtuna, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakovit e Saloma, blenë aroma për të shkuar që ta lyenin. Dhe në mëngjes herët të ditës së parë të javës, erdhën në varr, në të lindur të diellit. Dhe po thoshin midis tyre: Kush do të na e rrokullisë gurin nga hyrja e varrit? Dhe kur ngritën sytë, panë se guri ishte rrokullisur; dhe ai ishte shumë i madh.

Dhe duke hyrë në varr, panë një djalë të ri, që rrinte në të djathtë, të veshur me një rrobë të bardhë, dhe u trembën. Por ai u tha atyre: Mos u trembni. Ju po kërkoni Jisu Nazaretasin që u kryqëzua; ai u ngjall; nuk është këtu; ja vendi ku e kishin vënë. Por shkoni t’u thoni nxënësve të tij, dhe Petrit, që ai po shkon para jush në Galile; atje do ta shikoni, ashtu siç ju ka thënë. Dhe ato, me të dalë, ikën me vrap nga varri, se i kishin kapur të dridhura dhe kishin mbetur pa mend, dhe nuk i thanë gjë askujt se kishin frikë. (Marku 16: 1-7)